14.12.2019

Me 81 vota ndryshohet Kushtetuta nga sot “Republika e Maqedonisë së Veriut”

11 Janar 2019

Maqedonia ka votuar me 81 vota pro, në seancën plenare të Kuvendit të programuar fillimisht për një ditë më parë, por të shtyrë për këtë të premte, të katërta amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së Prespës.

Me këtë votim ka mbaruar zyrtarisht procesi për ndryshimet kushtetuese të vendit fqinj, ndërsa marrëveshja e Prespës do t’i kalojë tashmë Parlamentit grek për t’u ratifikuar edhe atje në mënyrë që gjithçka të konsiderohet e përfunduar.

Edhe pse qeveria e Zoran Zaevit nuk i kishte votat e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese, ishin votat e deputetëve ish-anëtarë të VMRO-DPMNE-së në opozitë, ato që bënë të mundur ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Ish-deputetja e VMRO-së dhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, në fjalimin e saj nga foltorja e Kuvendit tha se VMRO-DPMNE është parti me patriotizëm të rremë, e se kjo parti lufton vetëm me fjalë për të mirën e vendit. Ajo tha se shpreson që VMRO-ja t’i përmirësojë gabimet në të ardhmen.