21.10.2018

Markoviq: Do të gjejmë zgjidhje që Kosova ta ratifikojë Demarkacionin

14 Shkurt 2018

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, në një konferencë të përbashkët me Ramush Haradinajn, ka thënë se Demarkacioni ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi, por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se dëshirojnë ta ndihmojnë Kosovën.

Pas takimit mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe homologut të tij nga Mali i Zi, Dusko Markoviq, të dy kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë treguar arsyen e vizitës së kryeministrit malazias.

Të pyetur për çështjen e Demarkacionit, Markoviq ka thënë se Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje, por marrë parasysh pengesat që ka hasur Demarkimi në Kosovë, ai ka treguar se janë të gatshëm për t’i ndihmuar Kosovës në gjetjen e zgjidhjes.

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, ka thënë se me Kosovën duan fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë dhe se mes dy shteteve nuk ka probleme. Çështja e Demarkacionit, sipas Markoviqit, nuk është problem por vetëm një çështje e hapur.

“Ne nuk kemi probleme, kemi disa çështje të hapura dhe besoj që në ta ardhmen të gjejmë një përgjigje cilësore”, ka thënë Markoviq.

Ai ka thënë se Mali i Zi është i prirë që të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian./Express/