25.05.2018

“Samiti i Sofjes përcakton orientimin e BE-së për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor”

16 Maj 2018

Samiti zyrtar i Sofjes i cili mbahet gjatë ditës së nesërme pritet të jetë i një rëndësie të veçantë për Kosovën.

Njohësi i çështjeve integruese, Avni Mazreku, thotë për lajmi.net se këto samite që mbahen me një sistem rotativ, kanë në agjendë të tyre Ballkanin Përendimor në rastet kur vet shtetet e këtij regjioni kanë presidencën e rradhës.

“Samitet e Bashkimit Evropian mbahen sipas një sistemi rotativ që përcaktohet nga shteti që ka presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian. Ne zakonisht shohim agjendë të Ballkanit Përendimor kur shtetet e Ballkanit kanë presidencën e rradhës. Në qoftë se shkojmë në histori të kësaj çështjeje, agjenda e Selanikut e përcaktuar në vitin 2003 ka qenë rruga kryesore e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Evropian”, thotë Mazreku.

Sipas Mazrekut gjatë presidencës së Sllovenisë kemi parë një agjendë më intensive të BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor, mirëpo gjithsesi sipas tij edhe Bullgaria ka arritur që ta fusë me sukses prospektin e anëtarësimit të regjionit të Ballkanit në Be.

“Gjatë presidencës së Sllovenisë, kemi parë agjendë më intensive të Bashkimit Evropian në raport me Ballkanin Përendimor, përkatësisht prospektin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Evropian. Edhe Bullgaria tash si njëri nga anëtarët e Bashkimit Evropian dhe që ka udhëheqjen me presidencën e BE-së, ka provuar suksesshëm në agjendën e Bashkimit Evropian, dhe në samitet e BE-së e ka futur çështjen e Ballkanit Perëndimor”, thekson Mazreku.

Sipas tij, në këtë agjendë të këtyre samiteve, çështje të hapura janë çështjet që kanë të bëjnë me raportet Kosovë- Serbi, mirëpo prap se prap Mazreku thekson se politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon të mbetet njëra ndër politikat prioritare të saj.

“Normalisht në këtë agjendë apo të themi diskutim të shteteve anëtare të BE-së, çështje të hapura dhe ta pambyllura janë cështjet të cilat kanë të bëjne me raportet Kosovë- Serbi, dhe krejt ky diskurs i debatit publik ka ndodhur për sa i përket asaj se cka duhet të bëjmë me këtë çështje të hapur dhe të pambyllur. Normalisht jo vetëm kjo që ndikon në këtë drejtim, por politika e zgjerimit e BE-së vazhdon të mbetet një nga politikat prioritare të saj”, shtoi Mazreku për lajmi.net.

Si përfundim, Mazreku thotë se nga këto samite priten vendime të përgjigthshme të BE-së të cilat do të përcaktojnë orientimin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian për sa i përket prospektit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në Union.

“Prandaj nga këto samite, presim vendime të përgjithshme të Bashkimit Evropian të cilat i përcaktojnë orientimin e përgjithshëm të BE-së për sa i përket prospektit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në Unionin Evropian”, përfundon Mazreku./Lajmi.net/