21.09.2018

“New York Times”: Bota me sy kah Kosova, ndërsa pritet të arrestohen figura kyçe politike

14 Janar 2018

Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale po vazhdon të diskutohet jo vetëm në vendin tonë por edhe në mediat ndërkombëtare. Prestigjiozja amerikane “The New York” i ka kushtuar një artikull kësaj teme ku thotë se e gjithë bota ka sytë mbi përpjekjen e Kosovës për të ndaluar gjykatën e krimeve të luftës.

Artikulli thotë se përpjekjet e Kosovës për të pezulluar gjykatën e krimeve të luftës që do ndjek penalisht mizoritë e kryera nga shqiptarët gjatë luftës po kërcënojnë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë që mbështeten ndarjen e Kosovës nga Serbia.

“Gjykata, e vendosur në Holandë, u krijua në vitin 2015 nga Parlamenti i Kosovës nën nxitjen e aleatëve perëndimorë të vendit. Një ekip i gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë që do të veprojnë nën juridiksionin e Kosovës, pritet të dëgjojë raste të krimeve të luftës kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët që luftuan në luftën e viteve 1998-99 për t’u larguar nga Serbia”, thotë artikulli.

Më tej thuhet se ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë marrë pushtetin në Kosovë, vend ky me shumicë etnike shqiptare prej 1.8 milionë banorësh dhe tani përbëjnë elitën politike, përfshirë presidentin dhe kryeministrin aktual.

“Në dhjetor, një grup ligjvënësish, veteranë të UÇK-së, u përpoqën të nxisin një votim në parlament që do të pezullonte ligjin e Kosovës që shfuqizon gjykatën. Votimi kurrë nuk u zhvillua, por sponsorët e saj pohuan se kishin mbështetjen e Presidentit Hashim Thaçi, i cili më parë ishte akuzuar për udhëheqjen e një rrjeti të krimit të organizuar”, thotë artikulli.

Duke ju referuar çdoherë artikullit të “The New York Times”, thuhet se kjo është bërë për shkak të frikës së disa figurave politike që mund të përballen me arrestim.

“Gjykata është parë nga fuqitë botërore si një parakusht jetik për pajtimin rajonal pas luftërave të përgjakshme të Ballkanit të viteve 1990. Por lëvizjet për të ndalur gjykatën, kanë zemëruar mbështetësit perëndimorë të Kosovës”, shkruhet më pas aty.

Tutje në artikull raportohet edhe për paralajmërimet e ashpra të aleatëve të Kosovës që të mos shfuqizohet kjo gjykatë.

Shtetet e Bashkuara në ditën e 4 janarit dhanë deklaratë të nënshkruar nga Gjermania, Britania, Italia dhe Franca se çdo veprim për të ndaluar punën e gjykatës rrezikon “gjithçka që Kosova ka arritur”, transmeton lajmi.net.

“Disa ish-komandantë të UÇK-së, duke përfshirë presidentin Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se po udhëheqin përpjekjet për shfuqizimin e ligjit që rregullon gjykatën, e njohur zyrtarisht si Dhoma e Posaçme e Kosovës dhe Prokuroria e Specialistëve”, thotë me pas teksti i TNYT.

Megjithëkëtë në artikull thuhet se qytetarët në Kosovë janë të shqetësuar se udhëheqësit e tyre që po punojnë për përfitime personale e aspak për interesat kombëtare.

Tutje kjo medie thotë se ende nuk është e qartë nëse shumica e 120 deputetëve të Kosovës do të votojnë për shfuqizimin e gjykatës e kjo do të kuptohet kur parlamenti t’i kthehet punës pas pushimit dimëror.

Kliko këtu për të parë artikullin e plotë në origjinal.