17.10.2019

“Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Kryeparlamentare” LDK i përgjigjet Vetëvendosjes

9 Gusht 2019

Vetëvendosje tashmë i ka bërë ftesë LDK-së që të shkojnë me një listë në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti. Madje shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca bëri edhe propozim konkret duke përmendur postet udhëheqëse që do t’i merrnin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.  Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së Avdullah Hoti  në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe që sipas tyre është LDK.

Kreu i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing në T7, ka folur edhe për mundësinë që LDK e VV të bashkohen në një koalicion parazgjedhor.

Ky deklarim i Konjufcës erdhi pas ftesës që VV i bëri LDK-së menjëherë pasi që Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit e u fol për zgjedhje të reja.

Madje, deputeti i VV-së tha se ka edhe kombinimin më të mirë që mund të ketë Kosova për qeverisje. Ideale thotë Konjufca do të ishte nëse postin e kryeministrit e merr Albin Kurti, derisa deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani merr pozitën e kryetares së Kuvendit.

 “Albin Kurti kryeministër e Vjosa Osmani krye parlamentare. Nuk më ka ardhur turp të ia them këtë kolegëve, madje edhe Vjosa Osmanit. Gjithmonë i kam thënë, Vjosë: ‘je ideale për kryetare të parlamentit’. Është një kombinim ideal” tha Konjufca, derisa shtoi se nevojitet guximi i Albin Kurtit në qeveri e Vjosa Osmani nga lartë për ta marrë në pyetje atë.

 “Albini me guximin e tij, por një Vjosa Osmani e cila ulet lartë dhe e merr në pyetje Albin Kurtin e ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit. E këta të dy bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Tandemi më i fuqishëm në politikën e Kosovës” tha ai.

Konjufca thotë se me këtë parashikim të tij për zgjedhje, VV e LDK do të mund t’i siguronin 70 ulëse në Kuvend të Kosovës.

Gazeta Express ka kontaktuar shefin e deputetëve të LDK-së, për ta pyetur se cili është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për propozimin e Konjufcës.

Deputeti Avdullah Hoti thotë se veçse kanë dalë nga procesi zgjedhorë, e çka do të veprohet më tutje, merret vesh në mbledhjet që i mbajnë me strukturat.

“E para, ne sapo kemi dalë nga procesi zgjedhor i brendshëm, të bashkuar më shumë se asnjëherë më parë. Ne kemi strukturat tona dhe brenda tyre do të merren të gjitha vendimet meritore, vendime që janë në interesin më të mirë për shtetin e Kosovës, qytetarët dhe LDK-në”, thotë Hoti.

Ai shton se LDK është partia që ka marrë më së shumti mbështetje nga qytetarët në zgjedhjet lokale të vitit 2017, duke marrë numrin më të madh të deputetëve.

“Ne jemi partia me mbështetjen më të madhe të qytetarëve nga zgjedhjet lokale 2017, me numrin më të madh të deputetëve, me numrin më të madh të komunave që qeverisim dhe me numrin më të madh të këshilltarëve komunal. Nga atëherë, besimi i qytetarëve në LDK-në ka qenë në rritje”, thotë, derisa përmend edhe kundërshtimet që ia bënë PAN-it sa ishin në opozitë.

“Kemi bërë një opozitë të fuqishme gjatë qeverisjes së PAN-it dhe kemi koordinuar gjithë opozitën në Kuvendin e Kosovës. Kemi arritur të ndalim procese të dëmshme për vendin, në veçanti qasjen antishtetërore të PAN-it sa i përket dialogut me Serbinë, ku ligji për dialog u shpall antikushtetues”, thotë Hoti.

Deputeti i LDK-së, tutje ka bërë të ditur për Express se posti i kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme do t’i takojë partisë më të madhe në vend, e ky rregull duhet sipas tij të pranohet nga të gjithë.

“Partisë më të madhe në vend i takon pozita e Kryeministrit. Ky duhet të jetë në rregull i pranuar nga të gjithë. Partia më e madhe e ka besimin më të madh të qytetarëve dhe e ka përgjegjësinë më të madhe, prandaj edhe duhet të udhëheqë me qeverinë”, ka deklaruar Hoti.

LDK dhe VV gjatë gjithë qeverisjes së PAN-it i rregulluan marrëdhëniet mes vete duke kundërshtuar qeverinë Haradinaj. Së bashku paralajmëruan edhe mocion për rrëzim të kësaj legjislature.

Ditë më parë ndërkaq, në një intervistë për emisionin Pressing në T7 kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se këto ditë do të takohet me kreun e VV-së, Albin Kurtin për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit.

Lëvizja Vetëvendosje tanimë ka kërkuar publikisht nga LDK që të bëhen së bashku për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.