19.06.2018

LDK-ja kërkon përkrahje për rrëzimin e Haradinajt nga pushteti, por vetëm në ‘Facebook’

13 Qershor 2018

Kërkesa për shkarkimin e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ishte kryefjala e Lidhjes Demokratike në ditët para se të votohej Demarkacioni me Malin e Zi.

Ndërkohë përveç që e votuan Demarkacionin, kjo kërkesë e LDK-së për zgjedhje të reja u zbehë dita ditës.

E përveç reagimeve në Facebook të zyrtarëvë të kësaj partie, nuk është parë asnjë iniciativë tjetër për ta rrëzuar Haradinajn nga pushteti.

I tillë është edhe reagimi i sotëm i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka numëruar të gjitha mangësitë e qeverisë Haradinaj, dhe ka kërkuar përkrahjen e qytetarëve për ta larguar nga pushteti Haradinajn dhe qeverinë e tij, raporton periskopi.

Reagimi i plotë:

1. Koalicioni qeverisës i “vendimeve të mëdha” është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha. Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje.

2. Partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill Kryeministrin. Ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë. Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës.

3. Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota. Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim.

4. Presidenti i vendit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e ri, siç e parasheh kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. NA DUHET MBËSHTETJE E MADHE QYTETARE PËR TË HEQUR QAFE PËRGJITHMONË KËTË KLASË POLITIKE QË PO VJEDH TË ARDHMEN E GJENERATËS SË ARDHSHME.