28.07.2017

LDK frikësohet t'i lë jashtë Vjosa Osmanin dhe Arben Gashin, i përfshin në listë për deputetë

20 Maj 2017

Vjosa Osmani megjithatë është futur në listën për deputetë të LDK-së. Pjesë e kësaj liste sipas burimeve të Gaztës Express është edhe Arben Gashi.

Ka mbetur vetëm edhe një orë deri në dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë në KQZ. Listat e disa partive ende nuk kanë përfunduar.  Listën nuk e ka përfunduar as Lidhja Demokratike e Kosovës, por gazeta Express merr vesh se pjesë e saj do të jetë Vjosa Osmani.

Ajo mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ishte futur në listën rezervë.

Në listë është edhe Arben Gashi, kritik i qeverisë edhe ky, e për të cilin gjithashtu kishte rezerva.

Osmani dhe Gashi kanë qenë kundër lidhjes së koalicionit të LDK-së me PDK-në.

 Kurse, kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar  se kryeministri në largim, Isa Mustafa, nuk do të jetë në listën e kësaj partie për deputet.

I ftuar në emisionin “Komiteti”, prodhim i Gazetës Express, Hoti ka pohuar se në listën zgjedhore të koalicionit, nga radha e LDK-së do të jenë njerëzit më të aftë të strukturave.

“Jo, zotëri Mustafa nuk është në listë. Unë do t’i prijë listës. E tëra që mund të ju them është se do të befasoheni me listën e profesionistëve që do të bëjë LDK. Ndërkohë për Vjosa Osmanin, duhet të presim përfundimin e listës. Sot do të finalizohet ajo”, ka thënë ai.

Ish-deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, nuk është pjesë e listës së kësaj partie për deputet.

Lajmin e ka bërë të ditur Bulliqi  duke shtuar se jashtë është lënë edhe kolegu i tij, Adem Salihaj.

“Unë dhe Adem Salihaj jemi lënë jashtë listës, kurse Vjosa Osmani gjendet në listën rezervë”, ka thënë shkurt Bulliqi.

Në mbrëmjen e së martës së javës së kaluar, në rezidencën e Behgjet Pacollit, LDK dhe AKR kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

LDK ka lidhur koalicion të njëjtën ditë edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR’ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.

Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Isa Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të inicuar nga Nisma./Gazeta Express/