25.02.2018

Ky është qëndrimi i KFOR-it pas deklaratës së Vulinit

18 Janar 2018

Vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq, ka ngritur shumë reagime.

Mes shumë deklaratave dhe reagimeve, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë një mesazh të qartë për zhvillimet e fundit në vend duke thënë se ushtria e Serbisë është e gatshme të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi për qytetarëve serbë kudo që jetojnë.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë dhe jemi mjaft të organizuar dhe të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet, nëse ushtria serbe është këtu”, ka thënë të mërkurën Vulin.

E nga ana tjetër, deklarata e Vulinit nuk është shqetësuese për forcën ushtarake që ofron paqe dhe siguri në vend, KFRO-in.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, në një përgjigje për portalin ‘arbresh.info’ lidhur me deklaratën e Aleksandar Vulinit ka thënë se KFOR-i vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“KFOR vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të garantojë një liri të lëvizjes nëpër Kosovë, nën dispozitat e rezolutës së OKB-së 1244 për të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve. KFOR mbetet vigjilent, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të sigurisë”, thotë në përgjigje Grasso.

Portali “arbresh.info” i ka dërguar pyetje edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për deklaratat e shefit të ushtrisë serbe, por Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë ka thënë se FSK nuk është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë dhe rendit.

“Përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë është Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, ka thënë shkurt Shala.

E Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë të martën për media se Policia e Kosovës është duke e hetuar më përkushtim të madh vrasjen e politikanit serb në Kosovë.

"Policia e Kosovës me përkushtimin më të madh do të bëjë çdo gjë në mundësitë dhe kapacitetet tona për ta zbardhur këtë rast”, ka thënë Maxhuni.

Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje të martën rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij, Iniciativa Qytetare. Sipas autopsisë ai u qëllua në pjesë e sipërme të trupit me gjashtë plumba nga një pistoletë e tipit Zastava M70A, prodhim serb. Trupi i Ivanoviqit u gjet nga një fqinj që ishte duke shkuar në dyqan. Nga hetimet e deri tanishme ende nuk dihet kush janë autorët e kësaj vrasje. /Arbresh.info/