20.09.2019

Kushtetuesja mund t’i përgjigjet Haradinajt tek pas një muaji

15 Gusht 2019

Për rreth tri javë Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk po arrin t’i kthejë përgjigje kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinajt, i cili ka kërkuar interpretim të aktit të dorëheqjes së tij dhe definimin e kompetencave e të funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Megjithatë Kushtetuesja mund të mos i përgjigjet Haradinajt edhe për një muaj. Zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese i kanë thënë “Zërit” se janë duke e shqyrtuar kërkesën e Haradinajt, por për çështje të tilla nuk mund të përgjigjen pa kaluar së paku një muaj e gjysmë.

“Kjo lëndë tashmë është duke u proceduar nga Gjykata. Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. Megjithatë, duke u bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale, që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës sillet nga një muaj e gjysmë e deri në dy muaj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kjo për arsye se, siç thonë në Kushtetuese, janë një sërë veprimesh procedurale që Gjykata tani duhet t’i ndërmarrë si para shqyrtimit e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar.