22.08.2018

Kush duhet ta udhëheq dialogun me Serbinë? Haradinaj s’po ka kohë, Thaçi i papranueshëm

13 Qershor 2018

Kosova po hynë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë pa një platformë dhe pa koncenues se kush duhet ta udhëheqë atë.

Ndonëse përgjegjës dhe udhëheqëse e deritanishme e dialogut me Serbinë ka qenë Qeveria e Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, deri tani ka refuzuar të jetë pjesë e këtij dialogu, me arsyetimin se po merret me punët e brendshme, ndërsa që presidenti Hashim Thaçi, pavarësisht vullnetit dhe disa takimeve të zhvilluara me homologun serb, Vuçiq, por refuzohet nga shumica e partive parlamentare që të jetë prijës i dialogut të fazës finale.

Në Qeverinë e Kosovës të pyetur për mundësinë që Haradianj ta udhëheq fazën e ardhshme të dialogut nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete.

Ata kanë folur për përgatitjen e platformës së re, duke treguar që aktualisht qeveria po drejton dialogun teknik.

“Pas tërheqjes, Qeveria pret propozime që mund të vijnë nga partitë politike dhe nga shoqëria civile për një platformë. Kjo tërheqje është edhe mundësi që partitë politike, të cilat e kanë kundërshtuar platformën aktuale të japin kontributin e tyre në këtë rrafsh dhe të arrihet një konsensus gjithëpërfshirës. Qeveria aktualisht udhëheq me dialogun teknik derisa sa i përket dialogut Presidenti i vendit ka rolin e tij, bazuar në Kushtetutën e vendit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës, për lajmi.net.

Por, për analistin politik Imer Mushkolaj arsyetimet e kryeministrit janë banale, dhe se ai duhet ta udhëheq dialogun, pasi një proces i tillë është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

“Përgjegjës për dialogun është qeveria dhe rrjedhimisht kryeministri Haradinaj. Është banal arsyetimi i tij se unë kom shumë punë dhe le ta udhëheq dialogun Presidenti. Pra udhëheqs për këtë është qeveria dhe dialogut duhet të udhëhiqet nga kryeministri i vendit, pavarësisht se ftesat nga Brukseli mundë të vijë në adresën e presidentit, por jo domosdoshëmrisht nënkupton se ai duhet ta udhëheq dialogun, pasi Kosova ka sistem krejt tjetër juridik krahasuar me Serbinë”, është shprehur Mushkolaj për lajmi.net.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën e kaluar ka tërhequr nga Kuvendi platformën për dialogun. Ai këtë ka thënë se e ka bërë për t’iu dhënë mundësi partive që të japin propozimet e tyre.

Platforma e propozuar nga Qeveria e Kosovës parashihte që udhëheqës i dialogut me Serbinë të jetë presidenti Hashim Thaçi, por që kjo gjë është refuzuar nga partitë opozitare dhe Nisma Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Ndërsa vetë kryeministri tashmë disa herë e ka thënë publikisht që presidenti Thaçi duhet të jetë udhëheqës i fazës finale të dialogut me Serbinë, pasi sipas tij ai ka edhe më shumë përvojë në këtë proces.

E sipas Mushkolajt, nëse partitë arrijnë koncensues që Thaçi të jetë udhëheqës i dialogut,atëherë duhet gjetur një mundësi që ai të raportojë në Kuvend, pasi Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi nuk duhet të anashkalohet.

“Nëse udhëheqë dialogun presidenti Thaçi dhe më Kushtetutë nuk është i obliguar me raportuar në Kuvendit, atëherë po shmanget plotësisht Kuvendi dhe si një republikë parlamentare çfarë është Kosovë një gjë e tillë nuk do duhej të ndodhte”, është shprehur Mushkolaj për lajmi.net.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, janë shprehur të bindur se deri në fillim të vitit 2019, dialogu final me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.

Ndonëse është paralajmëruar një takim me Thaçit dhe Vuçiqit në muajin qershor, ende nuk ka një datë të caktuar./Lajmi.net/