25.06.2017

Kur duhet të formohet qeveria teknike ose ajo nacionale?

19 Qershor 2017

“Në rast se koalicioni PAN nuk mund të formojë Qeverinë e Re, i takon presidentit të vendit t’i  kalojë ose jo mundësinë partisë politike që ka dalë e dyta në zgjedhje për të formuar Qeverinë. Megjithatë, nëse presidenti, në këtë rast, Hashim Thaçi nuk e jep këtë pëlqim, atëherë një alternativë tjetër e mundur për të mos shkuar në zgjedhje të reja është formimi i Qeverisë Nacionale apo edhe asaj Teknike. E njëra nga këto qeveri do të ishte një mundësi e mirë për të mos krijuar bllokada të reja që do ishin shumë të dëmshme, e të cilat i ka përjetuar edhe më parë Kosova”, kështu thotë për Indeksonline, njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Profesori Baraliu tregon se kush mund të formojë Qeverinë Teknike.

“Forcat politike do të duhej të ftoheshin nga presidenti ose edhe me vet-iniciativë për interesat e qytetarëve në përgjithësi dhe të merrnin iniciativë e të dakordoheshin ose për një Qeveri të Unitetit Nacional, pra kombëtare ose për një Qeveri Teknike që do të thotë Qeveri të njerëzve të cilët janë të gatshëm dhe të aftë, pa dallim përkatësie partiake, për të marrë ministritë. Kjo Qeveri Teknike për një afat të përcaktuar do të udhëhiqte vendin dhe do të zgjidhte problemet të cilat janë mjaftë të rëndësishme dhe urgjente”, ka thënë Baraliu.

Ndërsa, sa i përket Qeverisë Nacionale do formohej prej të gjithë spektrit politik në proporcion me fuqinë e votës, të cilët do të kishin përfaqësues në dikastere të ndryshme ministrore.

Baraliu tregon se Qeveria Teknike apo Nacionale do të duhej të kishte të gjitha kompetencat për vendimmarrje, përndryshe nuk do kishte pse të formohej.

\"Në qoftë se në kushte më normale dhe më legjitime siç janë zgjedhjet nuk arrihet një modus ligjor që të fitojnë qeverisjen siç e parashohin dispozitat e kushtetutës, pas një marrëveshje ndërpartiake do të duhej që të bëhet kjo qeveri dhe ajo duhet të ketë të gjitha kompetencat që gjatë mandatit që janë marrë vesh të jetë funksionale që t’i ketë të gjitha indirencat që i ka një Qeveri sepse aty nuk mund të ketë seleksionim, se problemet janë të përditshme. Pra nëse nuk ka kompetenca të plota atëherë nuk duhet të formohet hiq”, ka shtuar ai.

E këto Qeveri do udhëhiqnin me vendin varësisht marrëveshjes paraprake që do bëhej nga fuqitë politike në vend, deri të gjendej një zgjidhje për formimin e Qeverisë së Re, apo shkuarjes në zgjedhje.

Ndryshe, që nga shpallja e rezultateve preliminare të zgjedhjeve nga KQZ, fuqia që ka dal e para ka afat prej 30 ditësh për të formuar Qeverinë./Indeksonline/