19.10.2017

Kryeprokurorit i rritet pasuria e paluajtshme

19 Qershor 2017

Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit këtë vit në deklarimin e tij të pasurisë ka rritur vlerën e pasurisë së paluajtshme nga 308 mijë euro sa kishte deklaruar një vit më parë në 420 mijë euro.

Sipas deklarimit të kryeprokurorit Lumezi, banesat kanë vlerën e njëjtë, kurse shtëpia ka bërë diferencën në rritjen e vlerës së pasurisë  nga 308 mijë në 420 mijë euro. Një vit më parë vlerën e shtëpisë e kishte deklaruar 108 mijë euro, kurse këtë vit 220 mijë euro.

Pasuria e luajtshme e deklaruar nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi është një veturë në vlerë 6000 euro dhe tre piktura, vlera të cilave  është 15 mijë euro.

Sipas deklarimit të pasurisë, të hyrat vjetore të kryeprokurorit të Shtetit dhe bashkëshortes së tij janë 46 mijë  euro 949. Kurse para të gatshme janë deklaruar 18 mijë e 963 euro.

Obligimet financiare të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi mbeten ato të njëjtat të deklaruara edhe një vit më parë, 29 mijë euro huamarrje  dhe 60 mijë euro kredi.