22.07.2019

Kosova, me sytë nga turizmi. Operatorët e huaj duan ta përfshijnë në guidat e Ballkanit

14 Prill 2019

Që prej vitit 2011, kur prestigjiozja “New York Times” e përshiu Kosovën ndër 41 vendet që duhen vizituar, duket se sektori i turizmit në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vëmendje të veçantë. Shteti, me një kryeqytet që i fton të gjithë me monumentin “Newborn”, edhe pse shtrihet në një hapësirë të vogël gjeografike ofron mundësi të mira.

Kosova duket se i ka kthyer sytë nga turizmi. Si një vend i izoluar dhe pa liberalizim vizash, ata kërkojnë që të jenë pjesë e guidave turistike të Ballkanit. Për këtë arsye janë 70 operatorët turistikë të huaj që vizitojnë Kosovën, duke e nisur nga Prishtina për të pasuar me Prizrenin, për të zbuluar se çfarë mund të ofrojë ky vend nga pikëpamja turistike dhe kulturore.

Një përshëndetje e parë e tyre është një fotografi me shumëllojshmëri flamujsh dhe mesazhin e një bote shumëpërmasore. Ndërsa vizita e parë është Muzeu i Kosovës. Ndalesa tjetër është Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë. Ide e propozuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, megjithëse vet ai i përkiste fesë myslimane.

Pas një panoramimi të shpejtë të kryeqytetit, muzgu i zë operatorët turistikë në Prizren. Për ta është përgatitur një darkë gala në një nga hotelet më të mira të qytetit.

Për ta është përgatitur një prezantim i detajuar i aseteve turistike. Por, pse Kosova më në fund po investohet në turizëm?

“Mendojmë që zhvillimi më i mirë ekonomik, sidomos për komunën e Prizrenit, mund të vijë nga turizmi”, thotë Mytaher Haskuka, kryetar i komunës së Prizrenit.

“Turizmi është një ndër faktorët kryesorë të ekonomisë së një vendi dhe, së dyti, është një faktor shumë i rëndësishëm sa i përket punësimit”, tha Baki Hoti, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës.

E nesërmja e këtij turi dyditor është çekja e Prizrenit, me një numër të madh objektesh turistike dhe kulturore. I pari vendqëndrim janë Hamamet e Qytetit. Qyteti i vjetër të fton me Xhaminë e Sinan Pashës. E ndërtuar nga gurët lumorë që prej vitit 1615, ajo paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të Prizrenit. Megjithëse një vend mysliman, në një trekëndësh, Prizreni përveç xhamisë të ofron edhe Kishën Katolike dhe Katedralen Ortodokse, duke sjellë një gërshetim të tri feve.

“Unë mendoj që gjëja më interesante është sesi njerëzit jetojnë së bashku në fe të ndryshme”, shprehet një turist nga Teksasi.

“Unë kam një rekomandim të fortë për secilin nga ata që vizitojë Ballkanin: Duhet të vijnë edhe në Kosovë. Njerëzit janë shumë miqësorë, fleksibël, këtu mund të udhëtosh edhe me vizë ‘Schengen’ nëse nuk je nga Europa. Mendoj që Kosova bën shumë mirë që promovon turizmin dhe i uroj fat”, tha Sanyog Gupta, agjent turistik nga Tajlanda.

“Nga ajo që kam diskutuar edhe me kolegët e mi, që kanë ardhur nga të gjitha vendet e botës pothuajse, ata kanë ngelur të surprizuar nga mikpritja që iu është bërë në Kosovë”, tha Brikela Bejko, agjente turistike.

Kosova, një vend i vogël, por me gërshetim kulturash, ushqim tradicional, mikpritje bujare dhe bukuri natyrore, është e gatshme të presë turistë.