22.05.2019

Kërcënimet mes partnerëve të koalicionit, lojëra fjalësh

13 Mars 2019

Deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK-së se do të mundin ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të mosheqjes së taksës ndaj mallrave serbe nga kryeministri Ramush Haradinaj vlerësohen si joserioze dhe të pabaza. Analistët politikë në vend thonë se deklaratat e tilla janë vetëm lojëra fjalësh shkruan "Zëri".

Valmir Ismaili, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë se paralajmërimet për rrëzim të Qeverisë nga ana e PDK-së janë lojëra fjalësh që dy partnerët në Qeveri janë duke i përdorur, por që asnjëri prej tyre nuk është serioz në atë që e thotë.

Ndërkohë çështja e tarifës, siç ka vlerësuar ai, nga partnerët e koalicionit është duke u përdorur mirë për ta mbuluar keqqeverisjen, që është duke ndodhur në vend.

"Pothuajse çdo ditë vendi përballet me skandale nga më të ndryshmet që lidhen me keqqeverisjen, përderisa partnerët në Qeveri tentojnë t’i mbulojnë me çështjen e taksës dhe të dialogut në përgjithësi. Pra, përderisa njerëzit në Qeveri e përdorin këtë amulli të krijuar për përfitime të klaneve të tyre të afërta, atëherë kërcënimet për zgjedhje të reja janë vetëm lojë fjalësh”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Ismaili më tej ka vlerësuar se vendi është duke humbur shumë si rezultat i situatës së krijuar. Ndaj, siç ai është shprehur, do të duhej sa më parë të gjendej një zgjidhje për çështjen e taksës, i cili është bërë një problem që po i rrezikon marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Në aspekt pak më afatgjatë, subjektet politike do të duhej të uleshin dhe të vendosnin se cilat janë disa punë me të rëndësishme që mund të adresohen para mbajtjes së zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë të dakordohen që vendi të shkojë në zgjedhje brenda një periudhe të caktuar, sepse vazhdimi i qeverisjes në një formë të tillë është shumë i dëmshëm për vendin”, ka nënvizuar Ismaili.

Ndërkaq, gjersa ka folur rreth paralajmërimeve të PDK-së për rrëzim të Qeverisë, politologu Ramush Tahiri ka thënë se kërcënimet e partnerit më të madh të koalicionit duken të pabaza dhe politike.

Një gjë e tillë sipas tij po bëhet vetëm sa për ta mbajtur zgjuar vëmendjen e opinionit, porse aktualisht nuk ka as veprim praktik, as mundësi për t’u realizuar një gjë e tillë.

Kjo pasi sipas Tahirit, PDK-ja aktualisht nuk e ka përkrahjen e asnjë partie politike.

“PDK-ja nuk i ka 61 vota. Asnjë parti nuk po bashkëpunon me të, nuk ka aleat, as PSD-ja, as Nisma, as Aleanca, as Alternativa, as Lista Serbe nuk po bashkëpunojnë me PDK-në dhe PDK-ja e ka vështirë t’i bëjë 61 vota”, ka thënë Tahiri për "Zërin".

Ndërkohë teksa ka folur rreth çështjes së taksës, Tahiri ka thënë se nëse Veseli është i sinqertë në kundërshtimin e tij dhe në paralajmërimin për rrëzim të Qeverisë, atëherë duhet ta çojë zyrtarisht në Qeveri propozimin për pezullim të tarifës.