15.12.2018

Jep dorëheqjen ambasadorja e SHBA në OKB

9 Tetor 2018

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley ka dhënë dorëheqjen papritur, ndërsa presidenti Donald Trump e ka pranuar atë.

“Haley, – u tha ai reporterëve në Dhomën Ovale, – do të largohet nga posti në fund të vitit, pas një pune të jashtëzakonshme”.

Trump madje e ftoi diplomaten të zgjedhë një pozicion tjetër sipas dëshirës. Haley u konfirmua në këtë post janarin e vitit 2017, por ndërsa veprimi i saj duket shumë i beftë, shefi i Shtëpisë së Bardhë pretendon se ajo e ka njoftuar që përpara 6 muajsh se donte një shkëputje.

Largimi i 46-vjeçares vjen pasi ajo shërbeu përkohësisht si presidente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë një periudhe njëmujore.

Në muajin prill, Haley pati një përplasje të fortë me Shtëpinë e Bardhë, kur një këshiltar i Trumpit la të kuptohej se ajo kishte njoftuar në mënyrë të parakohshme një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Nga ana e këshilltarit, ky u etiketua si “moment hutimi”, por Haley iu përgjigj shpejt përmes një deklarate në “Fox News”, ku tha: Me gjithë respektin, por unë nuk hutohem lehtë!

E lindur në një familje emigrantësh nga India, Haley ka qenë kritike e Donald Trumpit gjatë fushatës së tij zgjedhore, kur shërbente si guvernatore republikane e Karolinës së Jugut. Dhjetorin e vitit 2017, ajo pati deklaruar se gratë që akuzonin Trumpin për agresion seksual duhen dëgjuar, ndërsa në një moment pati lënë të kuptohej se retorika e presidentit mund të nxiste një luftë botërore.