20.03.2019

IKSHPK: Nga tetori 2018 janë raportuar mbi 17 mijë raste me grip në Kosovë

9 Janar 2019

Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke intensifikuar punën në terren.

Nga 01 tetori deri më 9 janar 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 17.119 raste të dyshimta me grip, 2.9148 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 16 raste të rënda respiratore akute, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe, transmeton Koha.net.

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës nga muaji tetor ka pasur rritje të lehtë, përgjatë muajve pasues nëntor dhe dhjetor por nuk kalon pragun epidemik.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit - IKSHPK deri më 9 janar 2019 janë testuar gjithsej 76 mostra të dyshimta në grip.

“Sot më datë 09.01.2019 nga laboratori i IKSHPK-Qendra Kombëtare e Gripit është konfirmuar një rast pozitiv në Influencën A. Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina”, thuhet në komunikatë.

IKSHPK thotë se aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve.