24.11.2017

I përzgjedhuri i Adem Grabovcit nuk është më kryetar i Apelit

17 Korrik 2017

Hasan Shala nuk është më kryetar i Gjykatës së Apelit. Njeriu i afërt me PDK-në, që ishte i përzgjedhuri i Adem Grabovcit për një post në Këshillin Gjyqësor u rrëzua sot nga pozita e kryetarit të Apelit, me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Shala qëndroi në këtë post për vetëm gjashtë muaj.

Adem Grabovci ishte “qind për qind” i sigurt se gjyqtari Hasan Shala është person i besueshëm i tij, për t’u emëruar në një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).

Në një bisedë telefonike që ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së kishte pasur me avokatin dhe mikun e tij Idriz Ibraj, në dhjetor të vitit 2011, i sugjerohej që ta emëronte një person me emrin Hasan në detyrë, në Këshillin Gjyqësor.

“E pashë në gazetë qaty, se për një anëtar të Këshillit Gjyqësor duhet me qenë [dikush] prej Dukagjinit”, thotë Ibraj, dhe vazhdon: “A kish ba Hasanin me e shti aty?”

“Në daq me zgjidh problemin për qeknena, me e pas na një anëtar të fortë si me kanë i PDK-së”,vazhdon ai teksa tenton të bindë Grabovcin.

Grabovci bindet. I thotë Ibrajt se është “qind për qind” i sigurt për emërimin e Hasan Shalës në KGjK.

“Këqyr qysh shkojnë procedurat e më tregon, të lutem. Se qind për qind jam për Hasanin”, i thoshte Grabovci avokatit Ibraj, duke shprehur besim të plotë ndaj Hasanit, si person që do t’i nevojitej atij në KGjK.

Insajderi ka kuptuar se njeriu i rekomanduar tek Grabovci është Hasan Shala, i zgjedhur më 12 janar të këtij viti në krye të Gjykatës së Apelit për një mandat katër vjeçar.

Biseda mes Grabovcit e Ibraj është pjese e Dosjes së Shefave, një seri përgjimesh të publikuar nga Insajderi në vitin 2016, përmes së cilave argumentohet se si PDK ka ndikuar në emërimin e njerëzve të afërt me këtë parti në poste të rëndësishme të institucioneve publike.

E rreth gjashtë muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese e cilësoi të pavlefshëm dhe të jashtëligjshëm emërimin e të përzgjedhurit të Adem Grabovcit në postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konsideruar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e parimeve të barazisë, meritave dhe të transparencës, kur emëroi Hasan Shalën në krye të Gjykatës së Apelit.

Kushtetuesja ka gjetur se Këshilli Gjyqësor ka shkelur disa nene të Kushtetutës së Kosovës kur ka vendosur që për kryetar të Apelit të votoi Hasan Shalën. Është shkelur neni 24 për barazisë para ligjit, neni 31 i cili përcakton të drejtat për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe neni 108 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Arsyet pse Hasan Shala u rrëzua nga posti i kryetarit të Apelit

Vendimi i Kushtetueses është bërë bazuar në kërkesën e gjyqtares Tonka Berisha si njëra nga kandidatet për të udhëhequr me Gjykatën e Apelit.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka anuluar vendimin e KGjK-së dhe njëkohësisht e ka obliguar që të mbajë proces të ri të votimit për përzgjedhje të kandidatit për pozitën e Kryetarit të Apelit.

Më 28 tetor 2016 KGjK kishte nxjerrë vendim për shpalljen e pozitës së lirë për kryetar të Apelit.

Lidhur me këtë pozitë më 19 dhjetor 2016 Komisioni i KGjK-së intervistoi kandidatët duke e renditur Tonka Berisha në pozitën e parë me 100 pikë. Pas saj ishte renditur Hasan Shala me 84 pikë dhe Xhevdet Abazi me 77 pikë.

Përkundër që ishte poentuar më së shumti, Berisha nuk i kishte marrë votat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për t’u zgjedhur në krye të Apelit. Në procesin e votimit të mbajtur në KGjK, Berisha mori 2 vota për, 1 kundër dhe 6 abstenime. /Insajderi.com/