20.10.2019

Historia e paramilitarit që vrau shumë persona në Kosovë, gjykata serbe e liron para kohe

7 Gusht 2019

Autoritetet e drejtësisë në Serbi po dëshmojnë edhe njëherë që janë të ndikuara politikisht sa i përket vendimeve për të dënuarit që kishin kryer krime në Kosovë.

Vendimi skandaloz është lirimi para kohe i Miodrag Solaja, personit që u dënua për vrasjen e 14 civilëve gjatë luftës në Kosovë 1998-99, duke përfshirë shtatë fëmijë të ekzekutuar në oborrin e një shtëpie.

Ai u la i lirë muajin e kaluar tre vjet më herët, transmeton Indeksonline

Solaja, që ishte pjesë e një grupi paramilitar famëkeq serb, është liruar para kohe nga burgu nga një gjykatë në Beograd. Ai kishte mbajtur 12 vjet të një dënimi 15-vjeçar për krime lufte.

Miodrag Solaja luftoi me një njësi të njohur si “Akrepët” gjatë luftës 1998-99 në pjesë të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2008 u dënua për pjesëmarrje në vrasjen e 14 civilëve në qytetin e Podujevës më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të një lufte 11-javore ajrore të NATO-s që përfundimisht dëboi kriminelët e udhëhequr nga Slobodan Millosheviq.

Mirëpo, Gjykata e Lartë e Beogradit urdhëroi lirimin e tij të parakohshëm më 23 korrik. Vendimi u mor pasi i njëjti, sipas kësaj gjykate, kishte sjellje të mira dhe risocializim.

Vlen të theksohet se grupi me të cilin ishte Miodragi, “Akrepët” ishin paramilitarë të rekrutuar për të luftuar së bashku me forcat e rregullta në luftën e Kosovës, në të cilën u vranë mijëra civilë shqiptarë të Kosovës dhe u dëbuan rreth 800,000.

Disa nga anëtarët e saj kishin përvojë luftarake në luftërat në Kroaci dhe Bosnje. Solaja, megjithatë, ishte vetëm 20 vjeç dhe nuk e kishte përfunduar shërbimin e tij ushtarak, transmeton Indeksonline

Ai tha se dëshironte të “ndihmonte në luftë, me shokët”, si dhe të merrte “çekun”.

Akrepët mbërritën në Podujevë me 28 mars 1999 për t’u bashkuar me Njësinë Speciale Serbe.

Paraushtarakët ishin vendosur në një shtëpi të braktisur ku gjetën tri familje shqiptare në njërën prej shtëpive. Qytetarët u rreshtuan kundër një muri dhe u qëlluan.

Ndryshe, lidhur me këtë rast ka reaguar zëvendëskryeministri në dorëheqje i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës, teksa ka thënë se këtë e ka bërë në Bosnje e po vazhdon ta bëjë edhe me Kosovën.

“Këto ditë në Serbi është liruar nga burgu, tre vjet para përfundimit të dënimit, personi i cili është akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë. Nga ky krim arritën të shpëtojnë pesë fëmijë, e në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci”, ka thënë Hoxhaj.

 “Lirimi i kriminelit serb është dëshmi që Serbia po vazhdon të luajë me nervat e të gjithëve në të gjitha planet, madje edhe atë ushtarak”, ka thënë Hoxhaj.