24.05.2018

Hetime për falimentimin e Telekomit

25 Prill 2018

Zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se janë duke i hetuar keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës e të cilat, siç thonë ata, janë të lidhura me moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe me vendimin e Arbitrazhit.

Telekomi ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë, e cila në vitin 2010 i kishte paguar 80 milionë euro dividendë në buxhetin e Kosovës, ndërsa ditë më parë u bë e ditur se kompania ka 60 milionë euro borxhe.

Hiç më pak se 80 milionë euro i kishte paguar dividendë në buxhetin e shtetit Telekomi i Kosovës (TK) në vitin 2010, derisa shtatë vjet më vonë kjo ndërmarrje është buzë falimentimit pasi që borxhet ndaj furnitorëve i kanë arritur në 60 milionë euro dhe ka vështirësi që t’i paguajë edhe pagat e punëtorëve.

Në vitin 2011 nga fitimet e krijuara Telekomi ia kishte ndarë Qeverisë së Kosovës 55 milionë euro, 45 milionë euro në vitin 2012, 40 milionë euro në vitin 2013, nga 15 milionë euro gjatë viteve 2014 dhe 2015 dhe asnjë cent nuk ishte paguar në vitin 2016 në buxhetin e shtetit në emër të dividendit.

Në kohën kur s’kishte para për dividend Telekomi udhëhiqej nga Agron Mustafa, të cilit i ka skaduar kontrata në fund të shkurtit të këtij viti, ndërsa dy muaj më vonë kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës njoftoi se ndërmarrja publike është në prag të falimentimit, pasi borxhet e kompanisë kanë arritur në 60 milionë euro.

Për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Telekomin e Kosovës, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në këtë ndërmarrje.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, të cilat janë të lidhura me rastin e moszbatimit të vendimeve gjyqësore dhe vendimit të Arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë për gazetën “Zëri”.