19.09.2017

Haziri për takimin LDK-Vetëvendosje: U diskutua programi, jo posti i kryeministrit

17 Korrik 2017

Lidhja Demokratike ka realizuar takimin e dytë me Lëvizjen Vetëvendosje që nga mbajtja e zgjedhjeve më 11 qershor.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka treguar se kush mori pjesë në këtë takim dhe a u arrit ndonjë marrëveshje mes palëve.

Haziri ka bërë të ditur se në takimin me VV-në, i dyti ky pas zgjedhjeve, morën pjesë ai dhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti.

“Është takimi ynë i dytë pas 11 qershorit, përveç liderët që kanë pasur takim në nivel kryetarësh. Kemi biseduar për çështje programore dhe pikat e diskutueshme në kuadër të programeve”, ka thënë Haziri për Expressin.

Ai ka shtuar se posti i kryeministrit nuk ka qenë pjesë e diskutimin dhe gjendët në kuadër të agjentave të dy subjekteve. Haziri theksoi se fillimi i këtyre bisedimeve ka për qëllim vetëm cështjet programore.

Ky takim erdhi gjatë kohës kur po pritet caktimi i datës së seancës për konstituim të Kuvendit, dhe pas deklaratave të koalicionit PDK-AAK-Nisma se e kanë siguruar përkrahjen e shumicës parlamentare për të krijuar Qeverinë.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, kandidati i PAN’it për kryeministër, Ramush Haradinaj, u kishte dërguar ftesa për bisedime rreth krijimit të qeverisë kreut të VV-së, Visar Ymeri, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.