18.12.2017

Haxhiu demanton Veselin: Ka marrë ftesë nga gjykata

7 Dhjetor 2017

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu e cila po gjykohet për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend, ka thënë se Albin Kurtit dhe Donika Kadajt iu ka vazhduar paraburgimi, për shkak të mosparaqitjes së Kadri Veselit dhe Armend Zemajt në seancë në cilësinë e dëshmitarëve, raporton KosovaOnline.info.

Veseli në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk ka marrë kurrfarë ftese nga gjykata. Ai ka thënë se nuk ka ardhur ndonjë ftesë as në kabinetin e tij, as në shtëpi. Por, këtë e ka mohuar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ka pasur ftesë dhe për këtë është e sigurtë. Ajo thotë se është informuar nga zyrtarët e Kuvendit se Veseli ka marrë ftesë nga gjykata njësoj sikur që kanë marrë ftesë edhe nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputetët tjerë që kanë dëshmuar.

\"Ka pasur ftesë edhe për Kadri Veselin, por gjyqtari nuk guxon të thotë që Kadri Veseli e ka marrë ftesën. Ai gjykatës nuk guxon ta detyrojë Veselin të vijë në seancë. Ne e kemi thënë në vazhdimësi, por asnjëherë nuk kemi menduar se është kaq i kapur sistemi i drejtësisë\", ka thënë Haxhiu./KosovaOnline.info/