24.09.2018

Haradinaj: Vizat s'janë betejë e humbur, por duhet të punojmë

12 Korrik 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit dhe pjesëmarrjen në Samitin e Londrës. Shefi i Qeverisë, gjithashtu ka folur edhe për takimin e sotëm të tre krerëve të shtetit, Thaçi- Veseli -Haradinaj, me ç’rast ky i fundit i ka njoftuar për Samitin e Londrës.

Haradinaj tha se në ditën e parë të Samitit ka biseduar me ministrin e Forcave Tokësore të Britanisë, me të cilin ka folur për transformimin e FSK-së, me ministrin e Tregtisë, deputetë të atjeshëm...etj.

“Kosova i është mirënjohëse BE-së për ndihmën që i  kanë dhënë në siguri, Kosova është e gatshme të bëj partneritet me të  gjitha vendet që duan të na ndihmojnë në temat e sigurisë përmes tranzicionit të FSK-së, temave ekonomike, tema politike etj. Theresa May ishte shumë e kujdesshme ndaj nesh, na bëri të ndihemi si në shtëpi tonën”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka treguar edhe për takimet që pati me politikanët tjerë që morën pjesë në Samit, duke veçuar takimin me kancelaren Angela Merkel dhe atë francez, Kurz.

“Ishte një bisedë pune e frytshme me kancelarin Merkel, e cila pati vetëm një takim bilateral në Samit, e që e pati me Kosovën. Neve na intereson liberalizmi i vizave, por kemi punë shumë për të bërë edhe pse nuk është betejë e humbur. Do të punojmë intenzivisht për këtë punë”, ka thënë tutje Haradinaj, duke shtuar se sivjet ka liberalizim të vizave. “Kur jemi të vizat, kancelaria Merkal na tha se kemi ende shumë punë për të bërë, por që nuk ka dal me ndonjë vlerësim për vizat para vendimit të Komisionit Evropian”, tha shefi i Qeverisë.

Sipas tij, janë në pyetje javët për liberalizimin e vizave. Prandaj, ai theksoi se sot është me rëndësi ta nxjerrin në agjendë Kosovën, e që vendi të ketë lobim më intensiv për të hyrë në rend dite.

“Nëse në parlament evropian na shtyhet për vjeshtë, atëherë e kemi më vështirë. Prandaj, duhet të mundohemi ta fusim para pushimeve të verës në rend të ditës”, ka potencuar Haradinaj.

Ai vlerësoi se Kosova nuk mund të kthehet më prapa dhe se njohja e institucioneve të vendit duhet të bëhet.

“U kam bërë apel partive opozitare që të përkrahin Kosovën, vetën, familjet e tyre e fëmijët që Kosova ta kryej një temë të rëndësishme, në këtë rast dialogun. Tani është një frymë më e mirë e vendit, në bazë të takimeve që kam pasur. Partitë opozitare janë të nevojshme për dialogun me Serbinë. Kur është presidenti, jam edhe unë pjesë e ekipës së dialogut, jemi njëjtë, i japim përkrahje, por kam edhe funksione tjera që duhet t’i kryej, punët e shtëpisë janë më të rëndësishme”, ka thënë Haradinaj.

Shefi i qeverisë së vendit, ndërkaq ka theksuar se shtetit i duhet një koordinim më i madh i brendshëm  për të gjitha proceset që po kalon, kur kihet parasysh fakti se Serbia në këtë kohë është shumë e koordinuar për të penguar proceset e Kosovës.