22.05.2019

Haradinaj takon Mooren: Kosova thellësisht e interesuar të arrijë marrëveshje me Serbinë

13 Mars 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së shtetit britanik për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe jemi të përkushtuar për fuqizimin e partneritetit mes të dyja vendeve”, tha Haradinaj.

Në këtë takim, kreu i ekzekutivit gjithashtu ka shprehur qëndrimin dhe përkushtimin e vendit, për arritjen e një marrëveshje finale dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, që qon në njohje reciproke, në kufijtë ekzistues.

“Votimi i ligjit dhe platformës për dialog në Kuvendin e Kosovës është një tjetër hap i rëndësishëm, që tregon qartë dhe unitetin e institucioneve tona, karshi dialogut”, ka thënë Haradinaj, duke falënderuar qëndrimin e Britanisë së Madhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij në të gjitha proceset e rëndësishme dhe në rrugën evropiane të Kosovës.