24.09.2017

Haradinaj premton se Ligji për Obiliqin do të zbatohet, gëzim i madh te qytetarët (Video)

12 Shtator 2017

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se ndihet i nderuar që bashkëpartiaku i tij, kryeministri Ramush Haradinaj, ka zgjedhur që të vizitojë të parën komunën që ai e udhëheq.

Gashi tha se kryeministri i ka dhënë detyrë menaxhmentit të KEK-ut dhe komunës që të zgjidhin problemin e banorëve të Hades dhe Shipitullës, raporton EkonomiaOnline.

Kreu i Obiliqit, po ashtu, shpreson në implementimin e Ligjit për Obiliqin, i cili është miratuar në Kuvend para disa muajsh.

“Unë e falënderoj dhe besoj në vizionin e zotit Haradinaj dhe gjithsesi ne presim që edhe Ligji për Obiliqin të implementohet e të kthehet dinjiteti i qytetarëve të Obiliqit sepse ne i japim të gjithë vendit rrymë. 72 për qind të territorin tonë shfrytëzohet për prodhim të energjisë dhe ne pësojmë shumë keq. Fatmirësisht  që tani e kemi një ligj, e kemi një qeveri, kemi një kryeministër me ministra që do të jenë shumë më aktiv për zgjedhjen e problemeve të qytetarëve tanë”, tha Gashi.

Ndërsa, shefi i partisë së Gashit, kryeministri Haradinaj tha se nuk do të lejojë askënd që të mos i kryejë detyrat për të cilët është i thirrur. Ai u zotua se Ligji për Obiliqin do të zbatohet në praktikë. Shefi i ri i Qeverisë tha se nuk do të lejojë më stërzgjatje të panevojshme të këtyre proceseve. “Nuk është në rregull që kjo temë të zgjasë me vite”, u shpreh ai.

“Është harxhuar koha që është dashur të punohet normal, merreni me mend, kryetari vjen qe sa kohë tek unë dhe ankohet, së pari derisa është bërë Ligji dhe ky ligj ka për tu zbatuar. I kam thënë shumë herë kryetarit, gjelbërimi, ata në KEK, në të gjithë botën kur investon diku duhet të kujdesesh edhe për komunitetin”.

“Edhe nëse shkon në fund të botës kur të shkosh duhet ti japësh vëmendje njerëzve. Është e pakuptimtë çka ka ndodhur deri tash duhet të ndryshohet. Çështja e rymës, problemet me proces të prodhimit, shpronësimit, këto e bëjnë më të zorshme prodhimin e energjisë dhe këto janë ato që e rrisin çmimin dhe për këtë familja jonë është tmerr kur i vije fatura në fund, ka fëmije që mezi e përballojnë, dhe si shpjegohet kjo, ne rrezikohemi për mungesë të qymyrit për të prodhuar energjinë dhe detyrohemi ta blejmë atë, kjo është ajo që e rrit çmimin e energjisë”, tha Haradinaj.“Energjia është interes strategjik i vendit është edhe stabilitet”, theksoi kryeministri Haradinaj./Lajmi.net/