22.09.2019

Haradinaj nuk ka përgjigje se çfarë të bëjë me vendimin për pronat në veri

11 Korrik 2019

Menjëherë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kryeministrin Ramush Haradinaj për vendimin e tij për disa prona në veri, ky i fundit u zmbraps nga ky vendim.

Kryeministri thotë se ende s’e ka pranuar zyrtarisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e refuzoi kërkesën e presidentit Thaçi dhe e shpalli të papranueshme. E ndonëse ai vendim është publikuar tashmë, Zyra e Haradinajt nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë tutje me këtë vendim.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka thënë për portalin Koha.net se deri tash nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar rreth këtij vendimi. “Kryeministri ende nuk e ka pranuar zyrtarisht këtë vendim. Kurdo që merret vendimi do të shikohen hapat e mëtutjeshëm dhe proceduralë e më pas veprojmë”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por nga Presidenca thonë se ka qenë e rëndësishme që vendimi për tërheqjen nga privatizimi i pronave shoqërore në veri të anulohet, ani pse Kushtetuesja erdhi në përfundim se kërkesa për konflikt të pretenduar mes kompetencave kushtetuese të presidentit dhe Qeverisë është e papranueshme për shqyrtim në merita. Zyra për Informim e presidentit të Kosovës i ka thënë portalit Koha.net se presidenti Thaçi “gjithmonë i ka respektuar dhe do t’i respektojë” të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Për presidentin e Republikës së Kosovës, si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve, ka qenë e rëndësishme që të anulohen të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës, për shfrytëzim tek komunat në mungesë të bazës ligjore dhe kjo është arritur pas procedimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen për Koha.net nga Presidenca.