23.10.2018

Haradinaj nga Sofja: Ky është kushti për Kosovën dhe Serbinë që të pranohen në BE

17 Maj 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për pjesëmarrjen e shtetit në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Sofje, raporton Periskopi. “Pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të hyjë në BE. Porosia e BE’së ishte e qartë se nuk pranojnë vende që kanë tema të hapura mes vete, konflikte të hapura, madje as retorikë fyese ndaj njëra tjetrës”, ishte porosia e BE’së për Ballkanin, sipas kryeministrit Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nga ato që janë thënë në Samit, është vrenjtur se BE’ja është skeptike për zgjerim, ndonëse një gjë të tillë po e presin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për çështjen e vizave për Kosovën, Haradinaj tha se është çështje javësh.

Kryeministri thotë se gjatë këtij Samiti, i është dhënë peshë progresit të Kosovës.

“Fakti se Ballkani Perëndimor është temë e trajtimit të këtij Samiti të BE’së flet shumë për rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë Samit. Krejt BE’ja është mbledhur në një samit, për gjashtë vendet e BE’së, përfshirë Kosovën. Në samit i është dhënë peshë progresit të Kosovës. Kosova e ka çështje kryesore liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë tema bosht për Kosovën. E pata rastin me bisedu me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe këshilltarin e kancelares Merkel, që të pranohet progresi i Kosovës dhe që qytetarëve që t’u mundësohet lëvizja e lirë. Është çështje javësh që BE’ja të na jap vlerësimin se ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim”, deklaroi Haradinaj.

Ai ka folur edhe për mospjesëmarrjen e kryeministrit spanjoll në këtë Samit, shkaku i Kosovës.

“Deklarata e përbashkët e vendeve të BE’së e të Ballkanit Perëndimor është dëshmi se Kosova e ka ecjen përpara drejt BE’së. Jemi të interesuar që të vendosim marrëdhënie bilaterale me Madridin. Presim që Spanja të ndryshojë qasjen në raport me Kosovën”, deklaroi tutje Haradinaj në një intervistë për Klan Kosovën.

Në këtë Samit, ai tha se Kosova e Mali i Zi u morën si shembull i mirë, se si kanë arritur ta zgjidhin çështjen e Demarkacionit.

I pari i Qeverisë tha se porosia e BE’së në këtë Samit ishte e qartë, raporton Periskopi.

“Pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të hyjë në BE. Porosia e BE’së ishte e qartë se nuk pranojnë vende që kanë tema të hapura mes vete, konflikte të hapura, madje as retorikë fyese ndaj njëra tjetrës”, shtoi ai.

“Nuk është kompromis i vogël për Kosovën, pajtimi me Serbinë. Kanë ndodh masakra, njerëzit janë vrarë pa asnjë faj. Kompromisi më i madh që mund të bëjë Kosova është pajtimi me Serbinë”, deklaron tutje ai.

Ai bëri të ditur se nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por se nesër ka gjasë që të takohet me kryeministren serbe, Ana Brnabiq./Periskopi/