25.09.2018

GP i LDK-së mblodhi 40 nënshkrime për hetim të fondeve të ndara nga Presidenca e Qeveria

17 Prill 2018

Grupi Parlamentar i LDK-së procedon kërkesën për themelimin e Komisionit hetimor i cili do të hetojë shpenzimet pa bazë ligjore për aktivitete lobuese të Presidencës dhe Qeverisë, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Kumtesa përkujton s e kohë më parë mediat në vend raportuan lidhur me shuma të mëdha parash publike të shpenzuar për gjoja aktivitetet lobuese. Për më tepër letra e publikuar e Geoffrey Nice përmendte edhe terme financiare të cilat ishin dakorduar jashtë rrugëve formale për të tilla shërbime. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në konferencën e rregullt javore pati ngritur këtë çështje duke paralajmëruar formimin e Komisionit hetimor për të hetuar këto raportime.

Andaj sot, me iniciativën e deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme dhe është proceduar kërkesa për themelim të Komisionit Hetimor në lidhje me fondet e ndara nga Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për lobim.

Ky Komision do të hetojë të gjitha mjetet e ndara nga Buxheti i Kosovës për çështje lobuese nga viti 2010 e deri më sot, përfundon kumtesa.