26.04.2018

Ekskluzive nga Raporti i Progresit. Çfarë thuhet për vizat, raportet me Serbinë dhe tentimin për rrëzimin e Speciales

16 Prill 2018

Liderë politikë në Kosovë shpreheshin optimistë për Raportin që do të publikohet nesër nga Komisioni Evropian. Megjithatë, nga një pjesë e këtij Raporti, që ka siguruar Gazeta Express, nuk vijnë lajme të mira. Në Raport janë përmendur ngecja e reformave, konstituimi i vonshëm i Kuvendit dhe i krijimit të Qeverisë. Po ashtu, kritika të ashpra ka edhe për tentimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Gazeta Express ka siguruar një pjesë nga Raporti për Kosovën që pritet të publikohet nesër nga Komisioni Evropian.

Në pikën 9 të Raportit përmendet periudha e gjatë e vitit të kaluar, që u shënua me zgjedhje, fillimisht parlamentare e më pas edhe zgjedhjeve lokale. Kjo, siç thuhet në Raport, ka ndikuar në ngecjen e Kosovës në reformim.

“Kosova ka mbajtur zgjedhje të parakohshme në qershor të vitin 2017. Kuvendi dhe Qeveria e re u formuan në shtator. Gjatë periudhës zgjedhore, puna e Parlamentit u shty dhe reformat e Kosovës ngecën”, thuhet në Raport, transmeton Gazeta Express.

Komisioni Evropian vlerëson se në Kosovë akterët politikë duhet të ndërtojnë një konsensus për temat e rëndësishme me të cilat përballet vendi.

“Akterët politikë duhet t’i kthehen një dialogu konstruktiv së bashku me Kuvendin, si vendi kyç për debatin politik. Qeveria e re, si dhe Kuvendi duhet të ecin përpara në reformat si prioritet dhe ndërtimin e një konsensusi strategjik në çështjet kyçe të Kosovës”.

Në Raport, po ashtu, thuhet se Kosova duhet të përshpejtojë në realizimin e reformave, të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, i shoqëruar me reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, duhet të përshpejtohen”.

Ratifikimi i Demarkacionit, edhe pse ceket se ndodhi shumë vonë, si dhe luftimi i korrupsionit, Raporti i sheh si zhvillime pozitive në vend.

“Ratifikimi tejet i vonshëm i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i rëndësishëm i liberalizimit të vizave, së bashku me përmirësimin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë zhvillime pozitive”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

“Ka pasur progres edhe në ekonomi, pjesërisht në zhvillimin e mjedisit biznesor. Sidoqoftë, duhet të merren masa në luftimin e ekonomisë ilegale dhe papunësisë së lartë”, thuhet më tej.

Shqetësim i madh është tentativa e deputetëve që kishin nënshkruar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Përpjekja e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës në dhjetor të vitit 2017 për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka ngritur shqetësime serioze. Do të jetë esenciale për Kosovën zbatimi i obligimeve ndërkombëtare lidhur me Gjykatës Speciale, që u formua për t’i adresuar për t’i gjykuar krimet ndërkombëtare në luftën e Kosovës”.

Ndërsa, kërkohet që Kosova të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara në dialogun me Serbinë në Bruksel, me prioritet Asociacionin e Komunave Serbe”.

Kosova duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë, përfshirë këtu zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe veçanërisht Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. /Express/