16.12.2018

Dokumenti që tregon se Gjykata Speciale bën hapin e fundit para ngritjes së aktakuzave

11 Tetor 2018

Insajderi ka siguruar një dokument të përpiluar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku është inicuar themelimi i Organit të Pavarur Përfaqësues brenda Gjykatës Speciale. Themelimi i këtij organi të pavarur përbën njërin nga hapat e fundit para fillimit të punës së institucionit.

Teksa vëmendja e opinionit për Gjykatën Speciale po rritet për të mësuar emrat e të akuzuarve që do të bëhet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, një hap i fundit është ndërrmarrë për të siguruar që ky proces të nisë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës – që njihet si Gjykata Speciale – kanë bërë një përpara teksa po afrohet koha e fillimit të punës së institucionit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë themeluar një grup punues për formimin e Organit të Pavarur Përfaqësues (OPP) të Mbrojtësit të Specializuar, i cili është organ që përfaqëson kolektivisht avokatët mbrojtës gjatë punës së të ashtuquajturës Gjykatë Speciale.

Insajderi ka siguruar një dokument të përpiluar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku është inicuar themelimi i Organit të Pavarur Përfaqësues brenda Gjykatës Speciale

Ky proces i formimit të Organit të Pavarur Përfaqësues (OPP) të Mbrojtësit të Specializuar parasheh formësimin e këtij organi në aspektin organizativ, të kompetencave dhe të funksioneve të tij.

“Derisa neni 19 (4) i Ligjit për DHSK-së konkretisht supozon që të krijohet një OPP, le ta kemi parasysh se u nevojitën pothuajse 10 vjet që Avokatët të përfaqësoheshin në mënyrë kolektive përpara Tribunalit Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TNIJ)”, thuhet në dokumentin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

“Prandaj, gjëja e rëndësishme në këtë moment është që të fillojë procesi”, thuhet në dokumentin e siguruar.

Neni 19, pika 4 e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar të Kosovës parasheh edhe rëndësinë e Organit të Pavarur Përfaqësues të Mbrojtësit të Specializuar.

“Rregullat e procedurës dhe provave mund të ndryshohen nga gjyqtarët e Dhomave në seancë plenare, në konsultim me prokurorin e specializuar dhe Administratorin e Dhomave të Specializuara, të cilët përfaqësojnë interesat e mbrojtjes dhe të viktimave”, thotë Neni 19, pika 4 e këtij ligji.

“Zyra Administrative mund të konsultohet me Organin e Pavarur Përfaqësues të Mbrojtësit të Specializuar për këtë qëllim”, thekson Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar të Kosovës.

Në letrën e saj, kryetarja e Dhomave të Specializuara ka kërkuar nga avokatët që të emërohet fillimisht një grup i përkohshëm punues që do ta finalizonte formimin e Organit të Pavarur Përfaqësues.

“Të emërohet një bord të përkohshëm/ grup punues që do të përbëhej nga persona që kanë shprehur interes dhe gatishmëri për të punuar në organizimin e OPP-së”, thuhet në njërën prej kërkesave të Ekaterina Trendafilovës, të theksuar në dokument.

Po ashtu, në dokument thuhet se detyra kryesore e bordit të përkohshëm do të jetë rënia në pajtueshmëri e të gjithë avokatëve për formimin e bordit të përkohshëm, i cili do të punonte në formësimin e funksioneve të OPP-së.

“Pasi të jetë rënë dakord avokatët për një draft përfundimtar, bordi i përkohshëm do të duhet të mbajë komunikimin me Regjistrin e Gjykatës, para së gjithash, me qëllim që të ofrojë kushte të përshtatshme organizative”, thuhet në dokument.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë propozuar pesë emra në mesin e avokatëve që bëjnë pjesë në Listën e Mbrojtësve të Specializuar që të formojnë bordin e grupit punues për formimin e Organit të Pavarur Përfaqësues të Mbrojtësit të Specializuar.

Avokatët ndërkombëtar të Gjykatës Speciale: Nikola Dodevski, Vladimir Meci, Johanna Morris e Arthur Traldi dhe avokati shqiptar i licensuar për këtë Gjykatë, Artan Qerkini, janë propozuar të jenë pjesë e këtij grupi punues.

Besohet se themelimi i këtij organi të pavarur brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës përbën një nga hapat e fundit para fillimit të ngritjes së aktakuzave nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale.

Megjithatë, institucioni i Gjykatës Speciale nuk ka dhënë asnjë shenjë për ngritjen e aktakuzave të para dhe fillimit të punës, pavarësisht se janë bërë më shumë se tri vjet që prej themelimit të tij.