22.05.2019

Djegia e mandateve, Schmidt: Kjo nuk është normale

15 Mars 2019

Qeveria gjermane e ka kritikuar hapur opozitën shqiptare për bojkotimin e parlamentit, por raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm ne Bundestag, Christian Schmidt thotë se përgjegjëse për krizën është edhe qeveria.

“Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, tha ish-ministri gjerman për DW. Schmidt tha se planifikon se shpejti ta vizitojë personalisht vendin tonë për t’u informuar vetë mbi gjendjen.

“Dua të shoh në mënyrë të veçantë se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, theksoi ai.

Vendimi i Gjermanisë për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit të Bashkimit Evropian që do të publikohet më datën 29 maj. Por për të dhënë miratimin përfundimtar në Këshillin e BE-së, më 19 qershor, Gjermanisë do t’i duhet që të marrë aprovimin e Bundestagut dhe Komisioni i Jashtëm atje, është pikërisht njeri prej komisioneve qe vendos per çeljen e negociatave me bllokun europian.

Duke përmendur ndërkohë dhe çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, Schmidt u shpreh kundër një lëvizjeje të tillë. Sipas tij kjo nuk është një çështje që u përket vetëm dy vendeve, por duhen pyetur edhe fqinjët, megjithatë paralajmëroi Shqipërinë të mos e ngatërronte më keq diskutimin duke përdorur retorika dhe simbolika që favorizojnë një vizion e një Shqipërie të Madhe.