20.10.2019

Deputetët njoftojnë Prokurorinë për shkeljet e kolegjeve private

7 Gusht 2019

Komisioni për Arsim e ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit në lidhje me shkeljet e kolegjeve private, të cilat i ka evidentuar Qendra Kombëtare për njohjen e diplomave (NARIC) në një raport të hartuar vitin e kaluar.

Sipas këtij raporti, disa kolegje nuk i kanë dorëzuar me kohë në Ministrinë e Arsimit kopjet e librave amzë ashtu siç parashihet me ligj, shkruan sot Koha Ditore. Problem tjetër i evidentuar në raport është mospërputhja e kopjes së librit amzë me listat e dorëzuara elektronike.

Po ashtu, sipas raportit, një pjesë e librave amzë s’kanë qenë fare të mbyllura me nënshkrim dhe vulë. Si pasojë e këtyre problemeve, një pjesë e studentëve të institucioneve private mund të kenë problem me validitetin e diplomave.

“Listat elektronike me kopjen e librave amzë nuk janë identike, sepse në ato elektronike ka më pak e kur i kanë dorëzuar librat amzë ka më shumë numër të studentëve”, thuhet në raportin e NARIC-it të cilin e posedon Koha Ditore.

Në këtë listë janë 27 institucione private tek të cilat janë evidentuar probleme në lidhje me listat e studentëve të tyre.

Prokuroria e Shtetit nuk është përgjigjur që nga java e kaluar nëse kanë nisur hetime në lidhje me shkeljet e institucioneve private të arsimit të lartë.