26.07.2017

Demantohet keq Isa Mustafa, ja sa qytetarë i punësoi Qeveria e tij në të vërtetë

20 Mars 2017

Drejtori i Instituti GAP, Agron Demi ka demantuar kryeministrin Isa Mustafa, i cili ditëve të fundit me entuziazëm rendit sukseset e tij në Facebook, duke thënë se Qeveria e tij për dy vjet ka arritur punësimin e 40,000 qytetarëve.

Sipas Demit, të punësuar nqë nga viti 2016 janë vetëm 23,677 qytetarë e jo 40 mijë, siç thotë Mustafa.

Po ashtu, Demi ka kritikuar qeverisjen e Mustafës edhe në dështimin për të siguruar punësim të qëndrueshëm, ku thotë se nga gjithsej 347,185 të punësuar, vetëm 267 mijë prej tyre kanë punësim të qëndrueshëm, shkruan Periskopi.

Sipas Demit, në Kosovë është e vështirë të sigurosh vend pune, por edhe nëse gjen të drejtat e punëtorit do të shkelen, prandaj, sipas tij, të gjithë synojnë për vende pune në sektorin publik.

Komenti i plotë:

347,185 të punësuar më 2016, janë vetëm 23,677 të punësuar më shumë se sa në 2014, e jo 40,000 si po deklaron Kryeministri.

Nga këta 347,185 të punësuar, vetëm 267 mijë kan punësim të qëndrueshëm. Kurse 94 mijë prej tyre punojnë më shumë se 50 orë në javë, e rreth 50 mijë punojnë rregullisht edhe të shtuneve e të dieleve.

Sipas kësaj, del se punësim të qëndrueshëm e me orar të arsyeshëm kanë vetëm 175 mijë persona, 100 mijë prej të cilëve punojnë në sektorin publik.

Kjo dëshmon se në Kosovë është shumë vështirë me siguru një vend pune, por edhe nëse jeni me fat e gjeni një vend pune, mundësitë që ju me punu pa ndërpre shtatë ditë në javë, e më shumë se tetë orë në ditë janë shumë të mëdha. Ja pse krejt ia mësyejnë sektorit publik.

Por si duket kemi hy në fushatë zgjedhore dhe numrat e qeverisë kanë fillu me u shumëfishu për gjithçka.