16.10.2019

Dallaveret në BIK – njerëzit e Tërnavës, avokatë e prokurorë dërgohen pa asnjë cent në Haxh

31 Korrik 2019

Rreth 1 mijë e 80 persona nga Kosova do të shkojnë këtë vit në Haxh.

Rituali i Haxhit që konsiderohet si njëra ndër pesë shtyllat e besimit islam dhe i cili kryhet në vendet e shenjta arabe, po ua shter xhepin besimtarëve që marrin këtë rrugë, shkruan lajmi.net.

Shkuarja në Haxh kushton saktësisht 4 mijë e 150 euro për person. Mirëpo, jo të gjithë do të paguajnë këtë shumë të përcaktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Lajmi.net merr vesh se kryesuesi i grupit prej diku rreth 20 haxhilerësh e ka falas udhëtimin për në Qabe. Selektimi i kryesuesve të grupit dhe i atyre që nuk e harxhojnë asnjë cent për këtë udhëtim, po konsiderohet tejet i dyshimtë në mënyrën se si kryhet nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Hoxha Osman Musliu hedh dyshime të forta se ky udhëtim dhe fondet e dhëna për të janë duke u keqpërdorur nga viti në vit, madje ai thotë se vetë kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava dërgon njerëz të tij.

“Ai shpiuna dhe argatë të vetë çon pa pare. Avokati i Bashkësisë Islame që e ka mbrojtur Naim Tërnaven në rastin me Emin Behramin ka shkuar pa pare”, thotë Musliu për lajmi.net.

Në Qabe, Musliu pretendon se kanë shkuar njerëz të gjithë të afërt me Tërnavën, delegatë e hoxhallarë të tij.

“Para zgjedhjeve vjet kur ishte Qabja, i ka dërguar 40 persona pa pare, ata delegatë e hoxhallarë, të gjithë i ka dërgu për përfitime të veta”, thotë ai.

Por si po financohen këto udhëtime?

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu për lajmi.net thotë se BIK-u nuk ka ndarë asnjëherë fond të veçantë për këtë udhëtim.

“Sot është nisur grupi i parë, por BIK-u nuk ka ndarë asnjëherë fond për këtë”, ka thënë shkurt Sadriu për lajmi.net, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjes se nga kush financohet udhëtimi falas i haxhilerëve.

Siç merr vesh lajmi.net nga burimet e veta, Arabia Saudite ia mundëson secilit shtet që në Haxh ta dërgojë një numër të caktuar të haxhilerëve pa asnjë shpenzim.

Rëndom, kryesuesi i Haxhinjve përfiton nga ky financim, mirëpo përveç kësaj ai merr edhe 500 euro si shpërblim.

Burime të mirinformuara të lajmi.net tregojnë se përveç haxhilerëve, nga kjo përfitojnë edhe shumë të tjerë të cilët qëllimin e vetëm për shkuarjen në këtë udhëtim e kanë shëtitjen.

Të njëjtat burime theksojnë se në Qabe shkojnë prokurorë e avokatë të cilët kanë raste që ndërlidhen me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Të njëjtën e thotë edhe hoxha Osman Musliu. Sipas tij, shuma e caktuar për këtë udhëtim është tejet e lartë dhe le hapësira të mëdha për keqpërdorim.

Ai tregon edhe për selektimin e imamëve të cilët kanë shkuar mbi 20 herë në Haxh pa shpenzime, dhe të tjerë të cilët në mungesë të kushteve nuk e kanë pasur mundësinë të shkojnë, duke vënë në pah mosinteresimin e BIK-ut.

“Mbi 4 mijë euro edhe në Dubai me shku nuk harxhohen. Ka njeri që ka shku 20 herë në Qabe dhe ka të tjerë që kanë vdekur dhe nuk kanë qenë asnjëherë në Qabe”, thekson Musliu.

“Shembull mulla Rifati dhe mulla Shiqeria kanë shërbyer 40 vjet, dhe BIK-u nuk i ka qu pa pare. E kam pas baballakun ka shërbyer 42 vite në BIK dhe asnjëherë nuk u kanë pa pare. Këta i qojnë do shpiuna të vetë. Ka njeri që 27 herë ka shkuar në Qabe. Ka hoxhë që nuk ka shkuar sepse nuk i ka pasur kushtet sepse hoxhallarët i kanë rrogat shumë të vogla. Ka hoxhë që punon edhe me 70 euro në muaj”, tregon Musliu.

Nga Bashkësia Islame e Kosovës thonë se interesimi i kosovarëve për shkuarjen në Haxh është dhjetëfishuar, gjë që e dhjetëfishon edhe fondet e harxhuara për këtë udhëtim.

Grupi i parë i haxhilerëve është nisur sot, ndërkaq grupet tjera pritet të nisen më 1, 2 dhe 3 gusht./Lajmi.net/