19.09.2017

BIK vazhdon presionin - do ta ndërtojmë pa leje xhaminë

17 Korrik 2017

Zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë thënë se Komuna e Prishtinës ende nuk u ka dhënë leje për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë se tash e gjashtë muaj i kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për leje ndërtimore në Komunën e Prishtinës.

“Është dorëzuar projekti. Gati gjashtë muaj që e kemi dorëzuar komplet dokumentacionin dhe ende po stërzgjatet dhe nuk kemi kurrfarë shpjegimi rreth kësaj çështjeje”, tha ai për kallxo.com.

Sadriu, ka shpjeguar se fillimisht iu është dhënë një leje paraprake në vitin 2012, kur edhe ishte vendosur gur themeli i xhamisë, me ceremoni ku kishin marrë pjesë edhe krerët më të lartë shtetërorë.

Sadriu paralajmëron se në rast se nuk do të marrin leje ata do të vazhdojnë punën.

“Ne do të vazhdojmë edhe pa leje. Krye myftiu, është deklaruar se edhe pa leje do ta fillojmë ndërtimin. Atë që e ka thënë kreu i Bashkësisë Islame ne do t’i qëndrojmë mbrapa”, tha Sadriu.

Zëdhënësi i BIK-ut ka thënë se kanë marr premtime nga Komuna e Prishtinës se çështja e xhamisë do të diskutohet gjatë kësaj jave.

Aktualizimi i çështjes së xhamisë, sipas BIK-u, po bëhet shkaku i gjendjes politike në Kosovë.

“Nuk është  e rastësishme kur Kosova është në pozitë pa institucione të krijuara, ka mjegulli të gjendjes politike te ne dhe ngrihen këso çështje si probleme”, tha Sadriu.

Disa qytetarë të Prishtinës kanë iniciuar një peticion për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë sipas modelit të përzgjedhur nga BIK-u. Ata në shkresën dërguar BIK-ut dhe Komunës kanë deklaruar se janë për ndërtim të xhamisë, mirëpo kanë kërkuar që objekti të jetë modern.

Por, Sadriu beson dukja e xhamisë nuk është arsyetim për ta kundërshtuar ndërtimin e saj. Ai tha se të gjitha xhamitë janë të një arkitekture. Shembull morri edhe xhaminë e Tiranës, ku tha se është pothuajse i njëjti ndërtim dhe se askush nuk e ka kontestuar.

Sadriu ka thënë se ndërtimi i xhamisë do të financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se xhamia në kryeqytet do të ndërtohet.