19.10.2019

Beqaj largohet nesër, AAK, NISMA dhe AKR ende s’janë deklaruar për veprimet e Veselit

19 Qershor 2019

Qeveria e Kosovës ende nuk është deklaruar për shkarkimet që ka paralajmëruar kreu i PDK ’së, Kadri Veseli e që kap edhe ministrin e Inovacionit Besim Beqaj. Deri më tani, Express mëson se nuk kanë filluar procedurat për shkarkim e një gjë e tillë pritet të bëhet nesër. Në anën tjetër, koalicioni PANA në marrëveshjen që patën nënshkruar e kishin saktësuar se ministrat shkarkohen vetëm nga krerët e partive, e jo qeveria.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e vetë kryeministri nuk u deklaruan ende për vendimin e kryeparlamentarit e kreut të PDK’së, Kadri Veselit për shkarkim të të gjithë anëtarëve të partisë që mbajnë pozita institucionale nga funksionet, nëse këta të fundit kanë aktakuza.

Nga burime brenda Qeverisë është bërë e ditur se deri më tani ministri i Inovacionit Besim Beqaj nuk është larguar nga funksioni derisa një gjë e tillë pritet të bëhet nesër. Ky i fundit ka qenë i paçasshëm.

Marrëveshja e koalicionit PANA me propozim të AKR’së, partisë së Behgjet Pacollit kishte saktësuar se emërimin dhe shkarkimin në pozita të ministrave mund ta bëjnë vetëm krerët e partive.

Bazuar në kompetencat kushtetuese të kryeministrit, Haradinaj ka të drejtë shkarkimin direkt të ministrave.