19.10.2018

Auditori dyshon se Federatat sportive nuk i kanë përdorur paratë për atë çfarë i kanë marrë nga Ministria

16 Korrik 2018

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se në bazë të procesit të auditimit për vitin për vitin 2017 kanë dhënë 1129 rekomandime për institucionet.

Kjo, sipas tij është pasqyrë e mënyrës se si po menaxhohet buxheti, duke e vlerësuar si jo të mirë këtë situatë.

“Në raportet e fundit që i kemi publikuar për vitin e kaluar e kemi një theksim për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportin. Gjetjet në këtë Ministri tregojnë telashe tek subvencionimi i Federatave të sportit. Kemi vërejtur që mjetet e shpenzuara ose vonohen ose nuk raportohen në mënyrën e duhur dhe së paku ne si Auditor nuk jemi siguruar që këto mjete janë përdorur gjithmonë dhe saktë për qëllimet që janë dhënë”, ka thënë Osmani në Puls të KTV-së.

Ai ka thënë tutje se institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë xhirollogari që nuk janë të autorizuara nga thesari dhe ka shumë mundësi që mos të menaxhohen saktë sepse janë jashtë xhirollogarive publike.

Nga ana tjetër, Isuf Zejna, nga Demokracia Plus ka treguar se më së shumti ankesa gjatë vitit 2017 në OSHP janë bërë kundër KEK-ut janë me 61 ankesa, kundër Ministrisë së Infrastrukturës ku janë dorëzuar 47 ankesa, Ministria e Shëndetësisë me 29 ankesa, ndërsa 22 ankesa janë për komunën e Prishtinës, 21 ankesa për komunën e Gjakovës, e të tjera.

Kësisoj, Zejna ka thënë se urgjentisht duhet të bëhet auditim edhe për ndërmarrjet publike.

Tutje, Zejna në Puls ka ngritur edhe shqetësimin se janë rreth 85 raste të gjetura nga Auditori, për të cilat Prokuroria është njoftuar por që tash për tash, nuk ka informata se është marrë me këto shkelje që përbëjnë vepër penale.