23.09.2018

Artistët kanë pezulluar grevën në pritje të pagave me rritje

14 Shtator 2018

Prej sot (e premte) punonjësit profesionalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ata të Filarmonisë së Kosovës dhe ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” do t’i kthehen punës. E kanë pezulluar grevën në ditën e nëntë të saj, të enjten, kur edhe Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren nëpërmjet së cilës Ministria e Kulturës thotë se do t’ua rrisë pagat.

Dy ditë më parë s’e kishte futur fare në rend dite e madje në fund të javës së kaluar, Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore e kishte kthyer prapa me arsyetimin se Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në Kuvendin e Kosovës.

As të enjten nuk ka qenë në rend dite. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka propozuar atë te “pikat e ndryshme” pasi kryeministri Ramush Haradinaj ia ka dhënë fjalën. Teksa ka kërkuar miratimin e saj, e ka cilësuar Rregulloren, “dokument të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e kulturës në Republikën e Kosovës”. Është miratuar pa asnjë debat, ani pse kryeministri Haradinaj ka pyetur nëse ministri i Financave ka ndonjë mendim për të.

Tri orë e gjysmë pas miratimit ministri Gashi ka thirrur “konferencë të jashtëzakonshme për media”. Miratimi i Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore në mbledhjen ia ka krijuar mundësinë MKRS-së që t’i rrisë pagat.

Por ndryshe nga ajo që ishte thënë në tetor të vitit të kaluar, se pagat do të jepeshin me rritje në formë retroaktive qysh nga një shkurti i këtij viti, tash është vendosur që për 228 punonjës pagat të jepen me rritje nga qershori i sivjetmë. Me këtë janë pajtuar edhe grevistët. Ekzekutimi i pagave me rritje do të bëhet prej nëntorit.

Ministrisë së Kulturës i duhet t’i ndërrojë të gjitha kontratat e punës me punonjësit profesionalë të institucioneve, në mënyrë që t’u dalin pagat me rritje.