22.11.2017

Ambasada e SHBA-së kërkon ratifikimin e marrëveshjes ekzistuese të demarkacionit

14 Nëntor 2017

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate është shprehuar e zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane, duke vlerësuar se pohimet e tij janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, thuhet në deklaratë.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje. “Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.