24.09.2018

Aktakuza e përpiluar nga Blakaj shkon në Gjykatë, propozohet që veteranëve të rremë t’u ndalen pagat

14 Shtator 2018

Megjithëse prokurori Elez Blakaj u arratis nga Kosova javë më parë, aktakuza e përpiluar nga ai, do të shkojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Të gjithë 12 ish-anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të luftës: Agim Çeku, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demalijaj, Shukri Buja, Sadik Halitjaha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj, do të përballen me aktakuzën “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshojë masë për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale, raporton KTV.

Nga provat e siguruara deri më tash, sipas prokurorisë, është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej rreth 68 milionë eurosh.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së.