20.11.2018

Ajri i ndotur po vret kosovarët

8 Nëntor 2018

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 3700 persona kanë vdekur nga ajri i ndotur.

Gjatë së enjtes, cilësia e ajrit është e dëmshme për qytetarët e Kosovës.

Sipas matjeve të Ambasadës Amerikane në Kosovë, vlera e AQI’së është 103,  vlerë kjo e cila mund të paraqes rrezik për njerëzit të cilët kanë probleme me shëndetin.

Por problemi me ajrin, nuk kufizohet vetëm në këtë ditë. Ai ka qenë aktual gjatë viteve.

E ky ajër, ka shkaktuar deri tani 3700 vdekje të njerëzve në Kosovë, përkatësisht 0.2% të popullsisë.  Kjo sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Mjedisit në raportin “Cilësia e ajrit në Europë-2018”, informacione të cilat i referohen vitit 2015.

Numri i vdekjeve është matur në raport me popullsinë, e duke pasur parasysh numrin më të vogël të banorëve në vend, Kosova prin në listën e vdekjeve nga ndotja e ajrit në raport me popullsinë në Evropë.

Në Serbi, ky tregues është 0.18% (rreth 13 mijë vdekje)  dhe në Maqedoni  0.14% e popullsisë (3,000 vdekje), duke u renditur përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë në Europë.