19.06.2018

10 minutat e Vjosa Osmanit që heshtën Qeverinë

14 Mars 2018

Pozita dhe LDK'ja po përplasen mes vete për çështjen e ushtrisë, të cilën e filloi kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se krijimin e ushtrisë e pamundësoi LDK. Këtë e mbrojti edhe zv.kryeministri Enver Hoxhaj, e tutje e ka marrë fjalën Vjosa Osmani, e cila i është kundërpërgjigjur të gjitha akuzave që iu bën partisë së saj.

Osmani ka thënë se Kosovën nuk e kanë garantuar askush se nëse i shton mandatet komunitetit serb, do të votohej ushtria.

“Në asnjë moment nuk ka pasur garancë se nëse vazhdohen vendet e rezervuara, votohet ushtria. Ky ka qenë një kurth”, ka thënë Osmani, transmeton Express.

Kryeministri Haradinaj më herët fajësoi LDK’në se për shkak të refuzimit të kësaj partie për t’i dhënë edhe një mandat deputetëve serbë, nuk u bë ushtria. Por, Osmani thotë se nëse do të pranohej diçka e tillë, minoritetet do të përbënin grupin më të madh parlamentar.

“Rezultati i mundshëm i asaj do të mund të ishte se Grupi Parlamentar më i madh do të ishte  i pakicave”, ka thënë deputetja e LDK’së.

“Ne si LDK mburremi se kemi thënë nuk pranojmë një kurth e një skenar të tillë. Lista Srpska asnjëherë nuk ka deklaruar se do ta votonte ushtrinë”, vazhdoi Osmani.

E, zv.kryeministri deklaroi se çështja e ofertës për ushtrinë është e dokumentuar dhe ka fakte se qëndron ashtu siç po deklaron pozita. Diçka e tillë Osmani thotë se nuk ekziston.

“Na sillni dokumentin z. Hoxhaj sepse këtu është vetëm fjala ime kundër fjalës tënde”.

Ju jeni në gjendje që t’i rrezikoni raportet me ndërkombëtarët që janë ekzistenciale, vetëm ta shpëtoni lëkurën tuaj, e tani vini e shisni moral politik LDK’së”, ka thënë Osmani.

Osmani ka folur edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë, duke thënë se Qeveria as vetë nuk e di se cfarë flitet në dialog. Sipas Osmanit, institucionet e Kosovës janë komplet të çakorduara kur bëhet fjalë për atë që po diskutohet mes dy palëve.

“Pse Qeveria po e lejon Hashim Thacin që takohet herë publikisht e herë fshehtas me Vuciqin pa e ditur se për çka po flasin”, ka thënë deputetja. /Express/