28.06.2017

Rosto viçi me mustardë

4 Janar 2017

Salca e mustardës i jep shije shumë të mirë mishit të kuq dhe atij të bardhë prandaj cilindo të vendosni të gatuani, lyejeni njëherë me pak mustardë.

Koha e përgatitjes – 30 minuta

Përbërësit për 4-6 persona:

1 kg fileto viçi
1 litër birrë bionde
1 kokërr qepë
3-4 lugë senape
3 lugë Mascarpone
50 g gjalpë
vaj ulliri
kripë e piper

Përgatitja:

1.Mishin e lidhim me spango kuzhine që të ruajë formën cilindrike.

2.Në një tenxhere ngrohim gjalpin me 3 lugë vaj ulliri. Skuqim mishin në temperaturë të lartë nga të gjitha anët, derisa të zërë kore në sipërfaqe. Hedhim qepën e grirë imët, e spërkasim me kripë dhe kur kjo të ketë marrë pak ngjyrë, e shuajmë me 1/2 litra birrë. I vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë në temperaturë të ulët për 60-90 minuta (varet nga lloji i mishit), duke e rrotulluar herë pas here me lugë dhe duke e shuar me birrë tjetër nëse është nevoja. Pas 60 minutave që mishi është në zjarr, shtojmë senapen dhe e lëmë të ziejë derisa kur ta shpojmë mishin me majën e thikës, lëngu që del prej tij të mos jetë ngjyrë rozë.

Kur mishi të ketë zier, e heqim nga tenxherja, e mbulojmë me letër alumini dhe e lëmë të pushojë. Masën që ka mbetur në tenxhere e grijmë në mikser dhe e vëmë përsëri në zjarr për 5 minuta.

Fikim zjarrin, shtojmë Mascarpone-n dhe e përziejmë me lugë druri. Pasi të kenë kaluar 10 minuta nga momenti që e kemi hequr nga zjarri, e presim mishin dhe e shërbejmë me salcën e krijuar./kosovarja/