23.10.2017

Policia: Si vdiqën tre persona në Komoran, njëri ishte pacient në ambulancë

27 Shtator 2017

Tre persona humbën jetën mbrëmë në dy aksidente të ndara që ndodhën brenda gjysmë ore në Komoran të Drenasit.

Ndërkaq, sot Policia bëri të ditura detajet e aksidenteve që rezultuan me 3 të vdekur dhe 4 të lënduar.

Siç tregon Policia, aksidenti i parë që mori dy jetë, ishte vetëshkaktuar. Vdekja e të dy meshkujve ishte konstatuar në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, 20 minuta pas aksidentit të parë kishte ndodhur një tjetër aksident, në po të njëjtin fshat të Drenasit.

Në këtë aksident ishte e përfshirë një autoambulancë dhe një kamion me targa të Bullgarisë. Këtu kishte mbetur i vdekur pacienti që ndodhej në ambulancë.

Sipas Policisë, ky aksident u shkaktua nga pakujdesia e shoferit të ambulancës, i cili tani është në cilësinë e të dyshuarit.

Ndryshe, aksidentet e mbrëmshme ndodhën nën mbretërimin e motit me shi dhe mospërshtatjes së shpejtësisë, ndërkohë që të dyja rastet po hetohen nga Policia.