24.10.2017

Policia e Serbisë kap 25 kg zhivë, planifikohej të shitej në Kosovë

13 Prill 2017

Policia e Serbisë ka arrestuar dy persona të cilët i ka kapur me 25 kilogramë zhivë (merkur), e që për destinim final kishte Kosovën, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Zhiva e kapur është konfiskuar edhe është dërguar në institutin për shkencë nukleare të Serbisë.

Personat e arrestuar janë M.A.(1971) dhe S.Đ. (1952). Po ashtu policia serbe ka lëshuar fletarrest dhe ndaj një personi tjetër i cili ndodhet në arrati.

Sipas MPB-së së Serbisë, këtë sasi të merkurit të arrestuarit kanë dashur ta shesin në Kosovë.

Po ashtu bëhet e ditur se me këtë rast është arrestuar edhe zyrtari policor nga Velika Gradista G.D.(1970) i cili ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i ndihmuar njërit prej të dyshuarve të arratiset.

Merkuri ose zhiva është metal i lëngët në temperaturë të zakonshme, me ngjyrë të bardhë si të argjendit dhe me shkëlqim të fortë, që përdoret në mjekësi, në industri etj.