16.10.2019

Dy të arrestuar nga grupi i dyshuar për vjedhje nëpër Kosovë

20 Korrik 2018

Policia e Kosovës njofton se dje në Pejë ka identifikuar të dyshuarit e një grupi i cili vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe ka arritur të arrestojë dy persona nga ky grup, transmeton Koha.net.

Para arrestimit, të dyshuarit kishin bërë rezistencë dhe kishin sulmuar zyrtarët policorë, thotë kumtesa policore të cilën e publikojmë:

“Dje rreth orës 15:30 policia është njoftuar për një rast në një qendër tregtare në Pejë. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit të dyshuar për vjedhje dhe me të arritur në vendngjarje kanë hasur në veturën ‘Audi A3’ ngjyrë e kaltër me targa vendore.

Policia i kanë dhënë shenjë të ndalet, por të dyshuarit nuk u ndalën dhe e goditën veturën e policisë duke ua rrezikuar jetën zyrtarëve policorë.

Patrullat e policisë menjëherë janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar dhe gjatë arrestimit të tyre të dyshuarit i kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilëve ju kanë shkaktuar lëndime trupore.

Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Pejë, me qëllim të ngritjes së sigurisë në zonën e përgjegjësisë , vazhdon me aktivitete të shtuara në zbatimin e ligjeve dhe në zbulimin e kryesve të veprave penale të të gjitha fushave, vjedhjeve, vjedhjeve të rënda, pengimin dhe kapjen e kryesve të veprave të ndryshme penale, duke zbatuar autorizimet dhe kompetencat sipas ligjit.

Në kuadër të këtyre autorizimeve dhe kompetencave, nga Njësia e Hetimeve në stacionin policor në Pejë, në bashkëpunim me njësitë e tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, gjatë një pune të gjatë të palodhshme dhe të vazhdueshme operativo – hetimore, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë një grup të personave të dyshuar që kanë kryer vjedhje të sendeve me vlerë në disa qendra tregtare në rajonin e Pejës dhe në qytete të tjera të Republikës së Kosovës.


Policia e Kosovës pasi që i ka identifikuar të dyshuarit e një grupi i cili vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe ka arritur të arrestojë dy (2) persona nga ky grup.

1. G.H. 1993 m/k/sh fsh. Kishnarekë Drenas

2. E.K. 1993 m/k/sh Prishtinë

Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të.

Policia e Kosovës apelon te qytetarët që në rastet e parkimit të veturave në qendrat tregtare të kenë kujdes të shtuar për ruajtjen e sendeve me vlerë në vende sa më të sigurta dhe jo të ekspozuara.