19.10.2019

Arrestohet personi që e dhunoi e më pas e vrau 12 vjeçarin në Fushë Kosovë

17 Korrik 2019

Policia e Kosovës ka arrestuar personin S.O i cili pak ditë më parë ka vrarë të miturin në Fushë Kosovë, në trupin e të cilit u gjetën edhe shenja të dhunës seksuale.

“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve të vazhdueshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin e raportuar me datën 11.07.2019, e cilësuar në fillim si “vdekje e dyshimtë”, me datën 16.07.2019 rreth orës 19:55 nga njësitë policore të Stacionit Policor të Fushë Kosovës është arrestuar personi i dyshuar me inicialet S. O. mashkull/ashkali/kosovar lindur me 1999”, thuhet në raportin policor”, transmeton Koha.net.

Prokuroria ditën kur u gjet trupi i 12 vjeçarit nga një pastrues, i mbështjellë me batanije, ka thënë se në trupin e tij janë gjetur shenja dhune, e plagë kishte pasur edhe në kokë.

K. V. u gjet të enjten pasdite pa shenja jete, në afërsi të një banese, nga një pastrues.

Policia e Kosovës, në raportin e sotëm thotë se rasti i raportuar me datën 11.07.2019 fillimisht është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” ndërsa pas veprimeve hetimore dhe operacionale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ky rast është rikualifikuar si vepër penale “vrasje e rëndë”.

“Personi i arrestuar, i dyshuar për veprën penale “vrasje të rëndë”, me urdhër të prokurorit kompetent është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në raport.