19.12.2018

Arrestohet një polic, u kap me kokainë

8 Tetor 2018

​Inspektoriati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, pasi dyshohet se  i njëjti kishte kryer veprën penalë të blerjes, posedimit, shitjes dhe shpërndarjes së paautorizuar të substancave narkotike. Gjatë kontrollit të detajuar tek i dyshuari është gjetur një sasi prej më shumë se 500 gram substancë narkotike e cila dyshohet të jetë kokainë.

Inspektoriati Policor i Kosovës ka pranuar disa informacione lidhur me dyshimet e kryerjes së veprës penale ”Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike”, nga një zyrtar policor.

Pas verifikimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore ndaj të dyshuarit B.J, (punonjës i stacionit policor në Ferizaj).

“Pas një hetimi disa mujor dhe aplikimit të masave të fshehta me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, më 07.10.2018, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës së kanë arrestuar një zyrtar policor. Arrestimi i zyrtarit policor B.J (punonjës i stacionit policor në Ferizaj)është bërë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë. Gjatë kontrollit të detajuar, tek i dyshuari janë gjetur një sasi prej mbi 500 gram e substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë”, thuhet në një komunikatë të IPK-së.

Zyrtarit policor të arrestuar me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar edhe një zyrtar policor-  punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse i njëjti nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës  tani të arrestuarin gjatë hyrjes së tij në Republikën e Kosovës./GazetaExpress/