19.08.2018

Arrestohet në Aeroport i riu nga Vitia që i ishte bashkuar ISIS-it

23 Janar 2018

Një i akuzuar për terrorizëm është arrestuar mbrëmë në Aeroportin e Prishtinës. Policia ka ndaluar të riun nga Vitia, me të kaluar kontrollin e pasaportës, pasi i njëjti ishte larguar nga Kosova pa përfunduar procesi gjyqësor kundër tij, derisa ai po akuzohet për terrorizëm. Dhe ai nuk është rasti i parë. Në këtë tekst janë pasqyruar historitë e disa xhihadistëve kosovarë që po ikin nga drejtësia vendore për t’u bashkuar me sivëllezërit e tyre në Siri e Irak.

Leunis Frangu nga Vitia, i akuzuar për terrorizëm për disa kohë, ndodhej në arrati, jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe sa ishte larguar nga Kosova, ai do të duhej të gjykohej për dyshimet se në vitin 2013 i ishte bashkuar ISIS-it.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur para gati dy vjetëve nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ndërkohë që Gjykata ia kishte mundësuar atij mbrojtjen në liri.

Frangu, të hënën mbrëma është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti ishte duke u kthyer në vendlindje përmes aeroportit të Prishtinës. I riu është dërguar në mbajtje dhe sot pritet të dalë para gjykate.

Arrestimin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Bazuar ne urdhër arrestin e lëshuar nga Gjykata kompetente, mbrëmë në Aeroport (në ardhje), është arrestuar një person i cili pastaj sipas procedurave është dërguar ne paraburgim për 48 ore”, ka thënë Policia.

Për arrestimin Frangut, thonë të mos jenë në dijeni Prokurori Special që ngriti aktakuzën ndaj tij, dhe as avokati mbrojtës i tij.

Megjithatë, për dallim nga avokati Feim Alaj, prokurori Faik Halilaj i ka konfirmuar Expressit se i akuzuari ndodhej në arrati.

“Ai më doket ka pas shku jashtë dikun”, tha prokurori i shtetit përmes telefoni.

I njëjti nuk tregoi nëse autoritetet kosovare janë në dijeni se ku ka qëndruar gjatë kohës së arratisjes i akuzuari, dhe nëse ai dyshohet të jetë kthyer serish nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Prokuroria Speciale në vitin 2016 kishte ngritur aktakuzën ndaj Leunis Frangut “për pjesëmarrje dhe organizim të grupeve terroriste”. Sipas prokurorisë, Frangu më 3 nëntor 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka fluturuar për në Turqi e më pastaj nga atje ka shkuar në kufi me Sirinë ku i është bashkangjitur ISIS-it.

Shqyrtimet gjyqësore ndaj tij ende nuk janë mbajtur. Rrjedhimisht Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka mundur as të nxjerrë verdiktin gjyqësor për të akuzuarin, as pas gati dy vitesh prej ngritjes së aktakuzës ndaj tij, pasi ai ndodhej në arrati.

Leunis Frangu kishte mohuar akuzat e prokurorisë duke u deklaruar i pafajshëm në seancën për kundërshtimin e aktakuzës.

Në janar të 2016’të, pak muaj para se të ngritej aktakuza ndaj Frangut ishte raportuar se ai ishte pjesë e grupit të nxënësve të imamit nga Gjilani, të dënuar për rekrutimin të xhihadistëve nga Kosova, Zekria Qazimi.

Në komunikimet e përgjuara të ish-imamit të xhamisë “El Kaddus” zbulohej se Leunis Frangu, në fillim të nëntorit të vitit 2013 kishte marrë rrugë për në ISIS bashkë më Kujtim Bllacën nga Ribari i Madh (Lipjan) i njohur si Ubejdi dhe Blerim Sylën nga Gjilani.

SMS’et e publikuar zbulonin edhe se rrugëtimi tyre përcillej nga bashkëpunëtori i Zekria Qazimit, po ashtu i dënuar, Ilir Berisha, i cili u kishte siguruar edhe biletat e udhëtimit.

Ndryshe, deri më sot janë të identifikuara tre raste kur të akuzuarit për terrorizëm në Kosovë kanë ikur nga masat e mbrojtjes në liri, apo arrestit shtëpiak, dhe janë kthyer sërish në zonat e konflikteve në Siri e Irak.

Irfan Haqifi, Betim Ibrahimi dhe Bekim Mulolli janë tre të arratisur që i kanë ikur autoriteteve kosovare për të vazhduar xhihadin e tyre në ISIS. Dy prej tyre edhe janë vrarë pas kthimit atje.

Prishtinasi Bekim Mulolli ishte vrarë në Siri, në shtator të vitit 2015. Derisa, autoritetet kosovare tek nga Gazeta Express ishin informuar për arratisjen dhe vrasjen e tij në Siri, të cilën për gazetën e kishin konfirmuar familjarët e Mulollit.

Ndërsa, Irfan Haqifi ishte vrarë bashkë me Lavdrim Muhaxherin, gjatë një sulmi bombë me dron të ushtrisë amerikane mbi një bazë të ISIS’it në qytetin Al-Asharah, në lindje të Sirisë, në qershor të vitit të shkuar.

Në tetor të 2016’ës ishte raportuar se Irfan Haqifi – që kishte qenë vëllai i komandantit shqiptar të ISIS’it, po ashtu të vrarë në Siri, Ridvan Haqifi -, kthimin në zonat e konfliktit në Azi, pas arratisjes nga drejtësia kosovare, e kishte bërë përmes një rruge të re “drejt xhihadit” që kalonte përmes Malit të Zi.

Xhihadin e tij ende e vazhdon i arratisuri Betim Ibrahimaj, i akuzuar në grupin e njohur si “Badovci.