28.07.2017

Romët e pakënaqur me procesin e riintegrimit, nga 185 të kthyer vetëm 2 të punësuar

13 Korrik 2016

550 pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas janë ripranuar në Kosovë gjatë periudhës janar-qershor 2016. Prej tyre nga komuniteti rom janë riatdhesuar 299 persona, nga komuniteti ashkalinj 199 persona dhe nga komuniteti egjiptas 52 persona. Këto të dhëna dalin nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të bëjë riatdhesimin dhe pastaj edhe riintegrimin e personave të cilët më parë kanë lëshuar Kosovën.

Sipas MPB-së, të gjithë personat e riatdhesuar trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim në bazë të origjinës, përkatësisë etnike, fetare, racore ose gjinore. Megjithatë sfida e të kthyerve vazhdon pas ripranimit të tyre kur të vijë koha e riintegrimit.

Kujtim Paçaku, deputet rom në Kuvendin e Kosovës dërgon një sërë kritikash për institucionet e Kosovës, të cilat sipas tij, nuk po arrijnë të përmbushin programin për riintegrimin e komunitetit rom. Ai flet për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen romët pas kthimit në Kosovë.

"Kemi mjaft probleme në riatdhesim. Qeveria po bën trajnime në ekonominë e vogël apo të mesme ku përveç atyre trajnimeve duhet të punësohen të riatdhesuarit. Por shembuj të punësimit po hasim shumë pak. Ose ka raste kur ata trajnohen për zanate të ndryshme si automekanik ose të tjera dhe puna që u sigurohet nuk është e qëndrueshme", thotë deputeti Paçaku.

Një problematikë tjetër të cilët e ngrit deputeti rom është mungesa e një koordinimi të mirë mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e programit të riatdhesimit dhe riintegrimit.


MPB: Gjendja e personave të riatdhesuar është e mirë


Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se sipas të dhënave të cilat i posedojnë ata, gjendja e personave të riatdhesuar në Republikën e Kosovës është e mirë, gjithmonë në koordinim të përbashkët me nivelin lokal ku bëhet monitorimi i vazhdueshëm i përfituesve të këtij programi.

 "Gjatë vitit 2015 përfitues nga programi për Riintegrim kanë qenë gjithsej 185 anëtarë të Komunitetit Rom, 91 persona kanë përfituar akomodim të përkohshëm 7 ditor, pako ushqimore dhe higjienike kanë përfituar 155 persona, akomodim deri në 12 muaj kanë përfituar 210 persona, pako e ndihmës shëndetësore ka përfituar 1 person, pako të ndihmës dimërore kanë përfituar 12 persona, renovim të shtëpisë ka përfituar një familje, mobilim të shtëpisë ka përfituar 1 familje, financim të biznesit kanë përfituar 2 familje, punësim 2 persona, aftësim profesional 2 persona, organizim të kurseve dhe mësimit plotësues 5 fëmijë", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërsa për tre mujorin e parë të vitit 2016, sipas të dhënave të MPB-së nga programi i riintegrimit 107 pjesëtarë të komunitetit rom janë përfitues në shërbimet që ofron ky program. "33 persona kanë përfituar akomodim të përkohshëm, pako ushqimore dhe higjienike kanë përfituar 51 persona, akomodim deri në 12 muaj kanë përfituar 112 persona, pako të ndihmës dimërore kanë përfituar 12 persona, rindërtim ka përfituar 1 familje, trajnim në punë kanë përfituar 12 persona, organizim të kurseve dhe mësimit plotësues kanë përfituar 120 fëmijë të komunitetit Rom, Egjiptian dhe Ashkali", thekson MPB.

Paçaku: Komuniteti rom pa qasje të mjaftueshme në shëndetësi dhe arsim


Megjithatë, deputeti rom Paçaku thekson se komuniteti rom pavarësisht programeve që u ofrohen kanë probleme në qasjen ndaj shërbimeve në shëndetësi edhe arsim duke qenë se ka shumë prej tyre të cilët, sipas tij, nuk e njohin as gjuhën....



"Nuk jemi aspak të kënaqur. Një gabim bëhet prej fillimit kur ia nis deportimi i romëve. I riatdhesojnë të sëmurit. Aty thehet e drejta ndërkombëtare e njeriut mbi shëndetësinë. I riatdhesojnë shtatzënat që është shkelje. Riatdhesohen fëmijët gjatë procesit edukativo arsimor. Për shembull në nëntor, në dhjetor, në shkurt në mars kur edhe procesi mësimor është duke vijuar dhe humb edhe një vit shkollor duke kërkuar dokumentet e nostrifikimit për të vijuar mësimin këtu. Pastaj problem tjetër është se i riatdhesojnë pas një pëeriudhe të gjatë sepse ata persona kanë probleme në risocializim, pak e njohin gjuhën e shtetit, aspak gjuhën rome. Vijnë njerëz të cilët nuk kanë toka sepse politikë është që për të ndërtuar shtëpinë duhet të kesh tokën. Ose ka raste kur e kanë shtëpitë e tyre ndërtohen në tokë të babait dhe ajo nuk konsiderohet se është e atij personi që është kthyer", thotë Kujtim Paçaku.

Sidoqoftë për një problematikë të tillë, MPB si zbatuese e programit të riintegrimit thekson se organizimi i kurseve të gjuhës dhe mësimit plotësues realizohet rregullisht nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe drejtoritë komunale të Arsimit. "Për ato raste të cilat kanë nevojë për kurse shtesë, deri më tani të gjitha rastet e identifikuara kanë përfituar trajtim të mëtutjeshëm në përsosmërinë e nevojave për mbajtje të kurseve dhe mësimit plotësues, të gjitha rastet të cilat nuk kanë arritur që të sigurojnë vendbanim të qëndrueshëm ne jemi duke i trajtuar dhe do ti trajtojmë deri sa niveli lokal ti marr përgjegjësitë konfirmo legjislacionit në fuqi, kurse sa i përket qasjes në shëndetësi është komisioni komunal për Riintegrim ai qëvendos në bazë të kërkesave të cilat i parashtrojnë palët për përfitim, të gjitha
kërkesat trajtohen me kujdes të veçantë dhe ju asistohet rasteve të cilat janë në
nevojë", bën të ditur MPB.

Pavarësisht kritikave nga komuniteti rom në Kosovë për mungesën e qasjes së tyre në shërbime shëndetësore, arsimore e sociale në Kosovë, MPB thotë se deri më tani në departamentin e riintegrimit të personave të riatdhesuar nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare për mospërkrahje institucionale.

Çfarë përmban programi i riintegrimit për personat e riatdhesuar?

Ndryshe, programi i riintegrimit për personat e riatdhesuar i cili parashihet në rreg`ulloren 04/2016 të Qeverisë së Kosovës, ndër të tjera parasheh këto shërbime:

- Pritja individuale/organizuar e personave të riatdhesuar dhe informimi i
- Ndihma dhe mbështetja mjekësore (në pikat e arritjes në rast nevoje),
- Personat/familjet të cilat nuk kanë transport deri në komunën e origjinës I tyre, nëse kemi informatë nga shtete kthyes se ndonjë person i riatdhesuar është i sëmurë njoftohet Ministria e Shëndetësisë dhe u ofrohen shërbimet mjekësore.
- Nëse pala deklaron se nuk ka ku të qëndroj ofrohet shërbimi i akomodimit shtatë (7) ditor në Qendrën për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar
- Banimi përmes qirasë,
- Pakoja e ndihmës ushqimore dhe higjienike,
- Trajtimi mjekësor dhe medikamente,
- Pakoja e ndihmës për dimër,
- Pakoja e ndihmës për social nga MPMS,
- Pakoja e orendive për shtëpi,
- Sigurimi i banimit përmes ndërtimit/ rindërtimit të shtëpive,
- Sigurimi i banimit përmes ndërtimit/ rindërtimit të shtëpive,
- Sigurimi i banimit përmes renovimit të shtëpive,
- Ndihma për vetëpunësim /themelim biznesi,
- Arsimimi për fëmijët,
- Aftësimi profesional.

(Ky raport realizohet nga KosovaOnline në kuadër të Projektit: Të drejtat e romëve dhe serbëve (ZKM/ZÇK)