28.07.2017

Komunitetet jo-shumicë kërkojnë 10 përqind të vendeve të punës në shërbimin civil të Kosovës

14 Korrik 2016

10 përqind e shërbyesve civil në kuadër të Shërbimit Civil të Kosovës duhet të jenë nga komunitetet jo shumicë. Këtë e parasheh neni 11 i ligjit për shërbimin civil të Kosovës. Sipas përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë që jetojnë në Kosovë, ky nen i këtij ligji akoma nuk po zbatohet sa duhet në kuadër të shërbimit civil të Kosovës.

Andaj për një çështje të tillë është diskutuar të mërkurën në mbledhjen e komisionit parlamentar për të drejtat, interesat e komuniteteve dhe kthimit. I kryesuar nga kryetarja e komisionit Jasmina Zhivkoviç, iu kërkua Qeverisë së Kosovës që të gjejë forma dhe të nisë së zbatuari ky nen, në mënyrë që përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë në institucionet e vendit të realizohet sipas kuotës së parashikuar.

Sipas anëtarëve të komisionit, ky nen nuk është duke u zbatuar sipas dispozitave të parapara të ligjit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës. Duke raportuar për zbatimin e këtij neni (11) të ligjit për Shërbimin Civil t, kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Shkëmb Manaj, njoftoi se në nivelin qendror, neni në fjalë zbatohet në masën 6.24%. I njëjti nen, sipas tij, në nivelin lokal realizohet në 16.83%.

Ai më tej sqaroi se bazuar në numrin e përgjithshëm të shërbyesve civil në nivel vendi (më se 17 mijë), ky nen arrin në masën e paraparë të dispozitës ligjore. Por sipas Manaj, duhet përpjekur që shkalla e përfaqësimit të rritet në të dyja nivelet.

Si përfundim i diskutimeve u vendos që komisioni të hartojë disa rekomandime të cilat shprehin domosdoshmërinë e implementimit të liogjit dhe të njejtat ti dërgojnë në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.